Dardanët e futsallit nisin përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Italisë
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet kundër Italisë, në kuadër të Grupit 10 në Main Round të kualifikimeve për Kupën e Botës 2028.
Dardanët do të përballen me Italinë më 6 nëntor, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, nga ora 20:00, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 10 nëntor në Itali, po ashtu nga ora 20:00.
Përzgjedhësi i Kosovës, Agon Ramadani, vlerësoi se Italia është kundërshtari më i vështirë në grup, por theksoi se ekipi vjen në këtë përballje pas rezultateve pozitive, përfshirë fitoren 3:2 ndaj Gjeorgjisë në udhëtim.
“Italia është kundërshtari më i vështirë në këtë grup, mirëpo ne vijmë pas një ecurie pozitive, pas kualifikimit në këtë raund dhe fitores ndaj Gjeorgjisë. Normalisht, pas asaj fitoreje shtohen edhe apetitet. Ne jemi të gatshëm. Sot kemi një stërvitje relaksuese, pasi lojtarët tanë kanë zhvilluar ndeshjet e kampionatit me klubet e tyre dje, mirëpo që nga nesër do të përgatitemi me ushtrime intensive që do të na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë për ndeshjen ndaj Italisë të premten”, deklaroi Ramadani.
Ai shprehu besimin se Kosova mund të marrë rezultate pozitive në të dyja përballjet, duke vlerësuar atmosferën e mirë brenda ekipit.
“Jemi në momentin e mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë. Atmosfera në ekip është jashtëzakonisht e mirë, duke i falënderuar lojtarët për këtë frymë pozitive që e kanë krijuar. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të marrë ndonjë rezultat pozitiv nga këto dy takime”, shtoi përzgjedhësi.
Edhe kapiteni Bajram Ramadani shprehu optimizëm për vazhdimësinë e paraqitjeve të mira të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit nga ndeshja në ndeshje.
“Ecurinë e mirë që e kemi filluar këtë fushatë mezi s’kemi pritur ta vazhdojmë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i qasemi ndeshje pas ndeshjeje, pse jo, duke synuar sukses edhe në ndeshjen ndaj Italisë”, u shpreh kapiteni.
Ndërkohë, Behar Selmanaj ftoi tifozët ‘Dardanët’ dhe të gjithë dashamirët e futsallit që të jenë sa më të shumtë në numër në ndeshjen e parë ndaj Italisë, për t’i dhënë mbështetje Kombëtares.
“Ne kemi nevojë të na përkrahin sa më shumë dhe besoj se do t’i bëjmë krenarë me paraqitjen tonë”, tha Selmanaj.
Kosova synon ta shfrytëzojë momentin pozitiv dhe të vazhdojë me paraqitje të mira në përballjet me Italinë, në garën për kualifikim në Kupën e Botës 2028.



