Kane: Do ta sakrifikoja Topin e Artë për ta fituar Ligën e Kampionëve
Harry Kane ka arritur majën individuale të futbollit botëror duke fituar Topin e Artë 2026, por kapiteni i Anglisë ka nxituar të ritheksojë se cili mbetet synimi i tij përfundimtar.
Edhe pse sulmuesi ndihet krenar për këtë vlerësim, ai vazhdon të jetë i përqendruar te fitimi i trofeve me skuadrën e tij bavareze.
Kane mund ta ketë arritur majën e vlerësimit individual me fitimin e Topit të Artë, por sulmuesi i Bayern Munichut këmbëngul se trofetë kolektivë mbeten motivimi i tij kryesor.
Duke folur në Madrid, para një përballjeje të rëndësishme evropiane, sulmuesi 33-vjeçar ka folur për triumfin e tij të fundit, duke ritheksuar dëshirën për të sjellë trofe të rëndësishëm në “Allianz Arena”.
Pavarësisht se ka lënë pas emra si Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal në garën për Topin e Artë, dëshira e Kane për ta fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve është më e madhe se kurrë, teksa përgatitet ta udhëheqë edhe një herë repartin ofensiv të gjigantit të Bundesligës.
“Trofejtë me ekipin janë arsyeja pse luajmë futboll. Aspekti ekipor i sportit tonë është shumë, shumë i rëndësishëm”, u ka thënë Kane gazetarëve në kryeqytetin spanjoll, para ndeshjes me Atlético Madridin.
“Topi i Artë javën e kaluar ishte një nga ndjenjat më të mira që kam përjetuar në jetën dhe karrierën time… por të përjetosh momente me ekipin, festime me klubin dhe të kesh mundësinë ta ngresh trofeun e Ligës së Kampionëve me Bayernin do të ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Sigurisht, Topi i Artë është një moment kulmor, më vendos në një nivel edhe më të lartë, por dëshiron t’i përjetosh edhe këto finale të mëdha, Ligën e Kampionëve dhe atë emocion me bashkëlojtarët e tu. Do ta zgjidhja Ligën e Kampionëve, por e kam mundësinë t’i fitoj të dyja, le të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Sulmuesi ka gjetur kohë edhe për t’i vlerësuar fjalët e mira që trajneri i Atlético Madridit, Diego Simeone, ka thënë për të, duke e cilësuar Kane si një “lojtar të jashtëzakonshëm” dhe ndikim pozitiv për futbollin. Kane, i cili është përballur me shumë skeptikë gjatë rrugëtimit të tij nga akademia e Tottenhamit deri në majën e futbollit botëror, ka shprehur mirënjohjen për vlerësimet e argjentinasit.
“Dua ta falënderoj Simeonen, i cili është një nga trajnerët më të mirë të kësaj epoke”, ka thënë Kane. “Jam krenar që marr vlerësime nga dikush si ai. Fitimi i Topit të Artë ishte një arritje e madhe për mua – më është dashur të kapërcej shumë sfida gjatë karrierës sime, disa njerëz nuk besonin se do të arrija deri këtu… por Simeone do të bëjë gjithçka që mundet për të më ndalur mua dhe ekipin nesër”.
Përtej përgatitjeve për ndeshjen, Kane u ka dhënë një lajm të rëndësishëm tifozëve të Bayernit, duke konfirmuar se është shumë pranë nënshkrimit të një kontrate të re.
“Do të thoja se bëhet fjalë për më shumë ditë sesa javë… tani jemi jashtëzakonisht afër”, ka shtuar sulmuesi, marrëveshja aktuale e të cilit fillimisht ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Udhëtimi në Madrid ka një domethënie të veçantë për Kane, pasi “Metropolitano” ishte stadiumi ku ai pësoi humbjen në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019 kundër Liverpoolit, gjatë kohës së tij te Tottenhami. Me finalen e këtij sezoni që gjithashtu është planifikuar të zhvillohet në të njëjtin stadium, Kane sheh një mundësi për ta rishkruar historinë e tij në kryeqytetin spanjoll.
“Në stadiume mund të kesh kujtime të mira, por ndonjëherë edhe jo – shpresoj që nesër të krijojmë një kujtim të bukur”, ka shtuar Kane. “Javën e ardhshme do të luaj sërish këtu me Anglinë kundër Spanjës dhe më pas shpresoj që në fund të vitit të rikthehemi për finalen e Ligës së Kampionëve. Pra, e kam një mundësi dhe ne e kemi një mundësi për ta fshirë atë kujtim të dhimbshëm të vitit 2019 dhe kjo është ajo që mund të bësh në jetë dhe në futboll: thjesht ta shfrytëzosh mundësinë e radhës”.



