Kosova lanson kuletën digjitale: Dokumentet dhe nënshkrimet tashmë në telefon

03 nëntor 2026 | 13:23

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike ka lansuar Platformën Nacionale të Identitetit Elektronik dhe Kuletës Digjitale, e cila u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të identifikohen elektronikisht dhe të nënshkruajnë dokumente në mënyrë digjitale.

Kjo platformë është cilësuar si një hap i rëndësishëm në transformimin digjital të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se digjitalizimi po ndryshon mënyrën se si qytetarët marrin shërbime publike, duke u mundësuar atyre qasje në shërbime pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në institucione.

Sipas tij, Platforma Nacionale e Identitetit Elektronik dhe Kuletës Digjitale do t’u mundësojë qytetarëve të kursejnë kohë, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të kryejnë procedura administrative nga kudo që ndodhen, pa pasur nevojë të shtypin dokumente.

Kurti e ka cilësuar këtë platformë, së bashku me aplikacionin për nënshkrim elektronik “iSign”, si një hap të rëndësishëm në transformimin digjital të Kosovës.

“Nga shkuarja në institucione te qasja në shërbime që ofrohen kudo e kurdo, digjitalizimi praktikisht mundëson ardhjen e institucioneve te qytetari, në vend se anasjelltas. Kur flasim për digjitalizimin, mendojmë për kohën që mund të kursejnë qytetarët, për rrugën që nuk do t’u duhet ta bëjnë, për punën që do të përfundohet kudo ku ai ose ajo ndodhet, për dokumentin që nuk do t’u duhet ta shtypin. Sot, me lansimin e Platformës Nacionale të Identitetit Elektronik dhe Kuletës Digjitale, si dhe të aplikacionit për nënshkrim elektronik ‘iSign’, Republika e Kosovës shënon një hap të rëndësishëm në transformimin e saj digjital”, ka thënë Kurti.

Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka bërë të ditur se BE-ja ka investuar 2.3 milionë euro në këtë platformë.

“Jam i lumtur të them se kjo është bërë me mbështetjen prej 2.3 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian. Ky investim është pjesë e një partneriteti më të gjerë mes BE-së dhe Kosovës, pasi Bashkimi Evropian është partneri dhe ofruesi më i madh i mbështetjes për Kosovën, duke e ndihmuar atë në modernizim dhe integrim në BE. Falë këtij partneriteti, qytetarët e Kosovës tani mund të kenë një identitet të sigurt digjital në telefonat e tyre”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka thënë se lansimi i platformës shënon një hap të rëndësishëm në transformimin digjital të vendit.

“Në jetën e përditshme, përmes telefonit komunikojmë, paguajmë dhe kryejmë shumë nga punët tona, por kur duhet ta dëshmojmë identitetin ose ta nënshkruajmë një dokument, shpesh ende na duhet të paraqitemi fizikisht ose të marrim dokumente në letër. Sot po bëjmë një hap të rëndësishëm që edhe këto veprime t’i kryejmë në formë digjitale. Po lansojmë një nga shtyllat më të rëndësishme të transformimit digjital të shtetit tonë. Identiteti elektronik është një nga themelet e besimit në shërbimet dhe transaksionet digjitale”, ka thënë Jagxhiu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar…