Raporti për barnat esenciale dhe listat e pritjes nxit përplasje mes pozitës dhe opozitës në Komisionin për Shëndetësi

03 nëntor 2026 | 13:48

Komisioni për Shëndetësi ka miratuar të martën kërkesën që drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të paraqesin brenda dy javësh raporte me shkrim për listat e pritjes së pacientëve dhe furnizimin me barna nga lista esenciale.

Pas shqyrtimit të raporteve, komisioni pritet t’i ftojë të dy për të raportuar gjatë muajit dhjetor.

Kjo kërkesë ka nxitur debat mes përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës. Kryetari i komisionit, Uran Ismaili, ka kërkuar llogaridhënie dhe respektim të afateve nga institucionet shëndetësore, ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, e ka akuzuar atë për politizim të çështjes.

Ismaili ka thënë se kërkesa është pjesë e planifikimit të aktiviteteve të komisionit për dy muajt e fundit të vitit, duke theksuar nevojën për të pasur një pasqyrë më të qartë të gjendjes në sektorin e shëndetësisë.

“Kemi të bëjmë vetëm me dy muaj që kanë mbetur. Dhjetori ka njëfarë përfundimi më të hershëm dhe kemi dashur që të kemi disa aktivitete për nëntor dhe dhjetor, si dhe ta shfrytëzojmë këtë sesion për të bërë një planifikim për vitin e ardhshëm. Kemi kërkuar të na dërgohet një raport me shkrim për listat e pritjes në klinikat e ShSKUK-së dhe një raport për barnat nga lista esenciale. Kjo na jep mundësinë që të kemi një raportim gjatë muajit dhjetor. Do të ishte mirë që në dhjetor të kemi një raportim nga drejtori i ShSKUK-së dhe ministri i Shëndetësisë, para se ta mbyllim këtë vit”, ka thënë Ismaili.

Ai u ka kërkuar anëtarëve të komisionit të këmbëngulin në respektimin e afateve për raportim, duke shprehur shqetësimin se kërkesat e tyre mund të mos trajtohen me seriozitet për shkak të ndarjeve politike.

“Kërkoj nga të gjithë ju që të jemi të vendosur që raportet që po i kërkojmë të na dorëzohen brenda afateve të përcaktuara. Përpilimi i këtij raporti është jashtëzakonisht i lehtë. Nuk do të doja që komisioni të bëhej një lloj ping-pongu dhe të mos merremi parasysh, për shkak se njerëzit gjejnë mbështetje politike në kuptimin opozitë-pozitë. Mendoj se raporti për listën esenciale dhe listat e pritjes janë kërkesa të vazhdueshme të qytetarëve. Kanë obligim të na japin raporte sa më shpejt, brenda afatit prej dy javësh”, ka deklaruar ai.

Këto deklarata kanë nxitur reagimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, i cili ka kundërshtuar qasjen e kryetarit të komisionit.

Azemi ka thënë se diskutimet për gjendjen në shëndetësi po marrin karakter politik, ndërsa i ka kujtuar Ismailit periudhën kur ai ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë.

“Po fillon mbledhja me të njëjtën qasje, duke thënë se nuk doni të bëni politikë, por çdo herë po përfundon duke bërë të njëjtën gjë. E kuptoj, jeni subjekte opozitare. Nuk duhet të harroni se keni qenë ministër i Shëndetësisë. Nuk është se e kemi gjetur shëndetësinë në lule dhe ajo u prish brenda natës. Ky është një sistem shëndetësor që e dimë se nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme. Le të flasim me një dozë më të lartë sinqeriteti”, ka thënë Azemi.

Ndaj këtyre kritikave ka reaguar sërish Ismaili, i cili ka mohuar se kërkesa për raportim ka prapavijë politike. Ai ka thënë se po kërkon vetëm që ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i SHSKUK-së të japin përgjigje për çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

“Unë nuk po them hajde ta thërrasim Albin Kurtin, as Xhelal Sveçlën, as Donika Gërvallën për vdekjen e Arlindës. Nuk jam duke bërë politikë, kjo do të ishte të dilnim jashtë temës. Unë po them ta thërrasim në raportim ministrin e Shëndetësisë dhe drejtorin e ShSKUK-së, ndërsa ju po më thoni se po bëj politikë. Kjo është krejtësisht gabim, nuk ka tendencë të tillë”, ka deklaruar ai.

Debati për gjendjen në shëndetësi ka vazhduar edhe me reagimin e deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, e cila ka kundërshtuar pretendimet për përmirësim të situatës në këtë sektor.

Ajo ka përmendur rastin e një personi nga Peja, për të cilin ka thënë se po përballet me kushte të rënda jetese dhe mungesë të kujdesit shëndetësor. Bytyqi u ka thënë anëtarëve të komisionit se është takuar personalisht me këtë qytetar dhe ka ngritur shqetësimin për trajtimin e tij nga institucionet shëndetësore.

“Kur po i dëgjoj këta duke folur për shëndetësinë, po më duket sikur po jetojmë në një shtet tjetër. Është një person nga Peja që jeton në Prishtinë pa shtëpi, pa ushqim dhe pa kujdes shëndetësor. Shikoni fotografitë, unë jam takuar me të dhe ai po neglizhohet nga QKUK-ja. Nuk e di si mund të thuhet se shëndetësia po përmirësohet”, ka thënë ajo.

Në kundërpërgjigje, Azemi ka thënë se nuk ka pretenduar që gjendja në shëndetësi është e mirë, por se problemet në këtë sektor janë të trashëguara dhe vazhdojnë të jenë të pranishme.

Ai ka kritikuar përdorimin e rasteve individuale në debatet politike, duke thënë se për raste të tilla duhet të njoftohet Inspektorati Shëndetësor.

“As nuk u lëvdova, vetëm konstatova një fakt se gjendja ka qenë e vështirë dhe vazhdon të jetë e vështirë. Është shqetësuese, sepse kam qenë edhe pjesë e opozitës, por asnjëherë nuk kam përdorur një rast individual. Si anëtar, puna e parë që është dashur të bëhej ka qenë kontaktimi i Inspektoratit Shëndetësor. Normalisht që duhet të merren masa”, ka deklaruar Azemi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Juventusi mund të ketë mundësinë ta ndryshojë përkohësisht listën e…