Rama në Bruksel, priten takime me drejtuesit e BE-së dhe NATO-s
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të marrë pjesë në një forum të nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivës evropiane të vendeve aspirante për anëtarësim.
Në kuadër të forumit, Rama do të diskutojë me gazetarët për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, ndërkohë që paralelisht po vazhdojnë takimet teknike për mbylljen e grupkapitujve të radhës.
Gjatë vizitës, kryeministri shqiptar pritet të zhvillojë takime edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, raporton “TV Klan”.
Më 13 tetor të këtij viti, Shqipëria ka mbyllur kapitullin 20, i cili përfshin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe politikat industriale. Negociatat për këtë kapitull janë hapur zyrtarisht më 22 maj 2025.
Në fokus të tij është promovimi i një ekonomie konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar drejt inovacionit.
Ky kapitull është negociuar së bashku me shtatë kapituj të tjerë, si pjesë e grupkapitullit të tretë, i cili përfshin fusha si transformimi digjital, taksimi, politika ekonomike dhe shkenca.
Më 14 korrik të këtij viti, Shqipëria ka mbyllur edhe tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Evropian. Vendi ka përmbushur standardet evropiane në kapitullin 25, “Kërkimi shkencor”, kapitullin 26, “Arsimi dhe kultura”, dhe kapitullin 30, “Marrëdhëniet me jashtë”.
Objektivi i qeverisë shqiptare është mbyllja e të gjithë grupkapitujve deri në fund të vitit të ardhshëm, me synimin që anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian të realizohet deri në vitin 2030.



