Gjashtë vjet nga arrestimi i krerëve të UÇK-së, OVLUÇK-ja nesër organizon aktivitet simbolik para Zyrës së BE-së
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka njoftuar se, me rastin e gjashtëvjetorit të arrestimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nesër (e enjte) do të organizohet një aktivitet simbolik në Prishtinë.
Syla ka bërë me dije se aktiviteti do të mbahet në orën 12:00, para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë. Aty, përfaqësuesit e tri organizatave të dala nga lufta do të përcjellin mesazhe publike për të shprehur pakënaqësinë ndaj procesit gjyqësor në Hagë dhe solidaritetin me krerët e UÇK-së.
Ai ka njoftuar gjithashtu se i është drejtuar Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) me kërkesën që kryetarët e komunave, së bashku me administratat komunale, të dalin para objekteve të komunave në të njëjtën orë për të shprehur solidaritetin.
Sipas Sylës, aktiviteti synon të dëshmojë se qytetarët dhe organizatat e dala nga lufta nuk janë indiferentë ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Ai ka theksuar se solidariteti me krerët e UÇK-së dhe kërkesa për një gjykim të drejtë janë çështje që lidhen me kujtesën historike dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.



