Ymeri: Prokuroria e vërtetoi se ka pasur manipulime në çmimet e energjisë elektrike, u tregtua sikur në “pazar”

06 nëntor 2026 | 23:55

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, në EURO n’T7 ka thënë se edhe Prokuroria, edhe ZRRE-ja e kanë vërtetuar se ka pasur manipulime në çmime në tregtinë me energji. Sipas saj, për shkak të këtyre manipulimeve të çmimeve gjatë tregtimit të energjisë elektrike, kanë pësuar të gjithë qytetarët e vendit.

“Që është e vërteta, për të njëjtat kompani që kemi folur edhe më herët, para një viti në këtë emision, janë në proces të rilicencimit, mirëpo edhe pse nuk është bërë rilicencimi, tregtia me energji është duke vazhduar njëjtë. 669 mijë euro për çdo ditë gjatë vitit 2026 importojmë energji elektrike, ndërsa në total deri më datën 1 tetor është importuar energji në vlerë prej 182 milionë eurosh. Pra, çdo ditë, verë e dimër, këta kanë importuar energji përafërsisht 700 mijë euro. Tregtia ka shkuar njëjtë, metoda ka qenë e njëjtë, kanë tregtuar energji si në pazar, kanë bërë tregti me tregtarët e tyre preferencialë dhe nuk i kanë dhënë llogari askujt”, ka thënë Ymeri.

Sipas saj, tregtia me energji është bërë “sikur në bahçe të babës”, sepse ky pushtet kështu ka dashur. Njëjtë pritet të ndodhë edhe me ligjin e ri, ku është një paragraf në të cilin thuhet se tregtimi i energjisë bëhet lirshëm dhe në bazë të interesave ekonomike të secilit pjesëmarrës. Deputetja Ymeri tha se duhet presion më i madh ndaj kësaj qeverie për të mos lejuar dëmtimin e konsumatorëve.

“E pamë vitin e kaluar ku, për shkak të presionit të qytetarëve, u ndal rritja e sërishme e çmimit të energjisë elektrike. Duhet të ketë presion më shumë që aktorët kryesorë të japin llogari për këto çështje. Është e pakuptueshme se si Dogana, në disa raste, nuk i ka treguar as emrat e tregtarëve të energjisë elektrike. Secili punon në vete dhe nuk do të tregojë se çka është duke bërë.

ZRRE-ja nuk na tregon për një hulumtim të bërë, e në anën tjetër ministria formon një task-forcë për ta menaxhuar tregtinë me energji. Kjo i bie veç me kqyrë me sy të lirë një bixhoz në nivel vendi”, ka shtuar deputetja Ymeri. Kosova, sipas deputetes, paguan çmim të lartë për energjinë elektrike të importuar edhe për shkak të mosplanifikimit të mirë të shpenzimit dhe prodhimit të energjisë elektrike.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Influencerja Doresa i ka thënë banorës Jonës se nuk mund…