Haradinaj: Britania e Madhe kishte rol vendimtar në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

08 nëntor 2026 | 14:35

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar në ndërhyrjen e NATO-s gjatë luftës në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga fuqitë vendimmarrëse të asaj kohe.

Gjatë ceremonisë përkujtimore për 10 ushtarët britanikë që humbën jetën në Kosovë, deputeti i Aleancës ka thënë se nderimi i tyre është obligim moral dhe nder për popullin e Kosovës.

“Është në nderin tonë si popull i Kosovës me i nderu ata ushtarakë e ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, që janë edhe te partnerëve që kanë shërbyer me ta, në një ditë si kjo, i kujtojmë për jetë, po i nderojmë dhe i kujtojmë për jetë, ashtu si kujtojmë edhe bijtë e bijat tonë që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës, për sigurinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera aleate, ka pasur rol të rëndësishëm në vendimmarrjen për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

Sipas Haradinajt, forcat britanike kanë qenë ndër më të rëndësishmet si gjatë operacioneve ajrore, ashtu edhe në vendosjen e trupave tokësore në Kosovë, duke kontribuar në ruajtjen e sigurisë në periudhën e parë pas luftës.

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë fuqi vendimmarrëse atëherë për ndërhyrjen e NATO-s, bashkë me Amerikën edhe me vende të tjera. Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar ka qenë ndër ushtritë më të rëndësishme të asaj ndërhyrjeje, si për sulme ajrore, po ashtu edhe për ndërhyrjen tokësore ose ardhjen dhe prezencën këtu. Kanë mbajtur situatën e sigurisë në ditët e para të luftës, pra ende pa u tërhequr edhe krejt forcat serbe, në gjithë Kosovën, përfshirë këtu në kryeqytet. Roli i tyre ka qenë shumë i rëndësishëm, vazhdojnë me shërbyer edhe me e siguruar Kosovën edhe tash në gjithë vendin, por veçanërisht në veri”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka ritheksuar se kontributi i Mbretërisë së Bashkuar nuk kufizohet vetëm në ndërhyrjen ushtarake të vitit 1999, por vazhdon edhe sot përmes pranisë së forcave britanike në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Bayern Munich ka marrë një lajm të keq në lidhje…