Lushtaku: Zbatimi i investimeve kapitale nga qeveria ka qenë i dobët, inflacionin e kemi pasur tepër të lartë

11 nëntor 2026 | 12:19

Anëtari i Komisionit për Buxhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Mergim Lushtaku, ka kritikuar planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale, duke thënë se, sipas tij, Qeveria ka vazhduar të planifikojë shuma të mëdha për këtë kategori, por realizimi ka mbetur i ulët.

“Por realisht, duke e marrë përballë edhe duke e krahasuar edhe me raportet e auditorit, edhe të shpenzimeve 2026, 2025 e tutje, ne vazhdimisht që kemi pasur këtë qeveri, ka planifikuar shumë në investime kapitale, por realisht zbatueshmëria ka qenë e dobët”, ka thënë Lushtaku.

Ai iu referua edhe një raporti të Institutit GAP për periudhën 2021-2024, sipas të cilit, mbi një miliard euro nuk janë shpenzuar nga investimet e planifikuara.

“Madje në disa raporte, siç është ai raporti i GAP-it 2021-2024, mbi 1 miliard euro nuk janë shpenzuar në investimet e planifikuara. Kjo e ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, do të thotë me më pak rrugë, më pak ura, shkolla të pandërtuara, qendra të pandërtuara, dhe shumë projekte që e lehtësojnë jetën e qytetarëve. Sigurisht kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në ekonominë familjare, si dhe te shtrenjtimi i jetës qytetare”, ka deklaruar ai.

Lushtaku ka theksuar se rritja e vlerës nominale të buxhetit nuk nënkupton domosdoshmërisht përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, duke e ndërlidhur këtë me nivelin e inflacionit.

“Numri i madh i buxhetit, apo buxheti me shifra të mëdha, nuk do të thotë që është mirëqenia më e mirë, sepse inflacionin e kemi pasur tepër të lartë. Në disa raporte të ndryshme kemi të paraqitura shifra të ndryshme. Për shembull, rasti është 7.8% inflacioni, ndërsa të tjerat deri në 7.1% deri në tetor 2026. Projeksionet nominale me ato reale i bie që zhvillimi diku ka kapur rreth 1%, sepse paratë që i ke pasur në 2026-ën nuk janë shpenzuar, dhe sigurisht i kanë humbur vlerën edhe në vitet dhe ditët e vjet”, është shprehur Lushtaku.

Ai ka folur edhe për dallimin ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara, duke përmendur një mungesë prej rreth 258 milionë eurosh.

“Prandaj, planifikimi buxhetor dhe të hyrat buxhetore dihet se janë 4 miliardë e 20 milionë, ndërsa shpenzimet që planifikohen për investime janë deri në 4 miliardë e 268 milionë euro, që i bie se jemi mangët rreth 258 milionë euro përafërsisht”, ka thënë ai.

Sipas Lushtakut, për qytetarët është e rëndësishme të shihet se cilat politika buxhetore ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e projekteve që, sipas tij, janë realizuar nga fillimi deri në përfundim gjatë qeverisjes aktuale.

“Të gjitha këto projeksione, sigurisht që për qytetarët janë të rëndësishme për të parë se cilat janë politikat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, derisa asnjë projekt nuk është i realizuar nga fillimi nga ju deri në përfundim”, ka deklaruar Lushtaku.

Një pjesë të diskutimit ai ia ka kushtuar edhe bujqësisë dhe mbështetjes për fermerët, duke thënë se, ndonëse janë planifikuar subvencione, ato nuk po shpërndahen me kohë.

“Në këtë drejtim, kam disa çështje për t’i ngritur, sidomos te bujqësia dhe fermerët, te të cilët shihet se ka numër të subvencioneve të planifikuara, por fatkeqësisht nuk merren me kohë”, ka thënë ai.

Lushtaku ka rikujtuar se edhe në diskutimet e mëparshme kishte propozuar amendamente për ndryshimin e mënyrës së pagesës së subvencioneve për fermerët, në mënyrë që mbështetja financiare të bëhej me këste dhe të ishte në dispozicion që në fillim të punëve bujqësore.

“Sa i përket mbështetjes, ju kujtohet besoj edhe herët e kaluara, kur kam pasur amendamente të drejtpërdrejta që i ndihmojnë fermerët në një farë forme t’i marrin subvencionet me këste, që në fillim të punëve të tyre në ara të kenë mbështetje në këtë drejtim”, ka theksuar ai.

Në fund të diskutimit, deputeti ka ngritur shqetësimin për projektet që në projektbuxhet janë planifikuar me zero euro, si dhe për projektet e reja që kanë ndarje fillestare prej vetëm një milion eurosh.

“Gjithashtu, një pjesë tjetër që më ka lënë përshtypje është te projektet në këtë buxhet që janë të planifikuara me zero. Sa janë gjithsej? A ishin 65 projekte apo sa janë kode buxhetore që janë planifikuar me zero? Pastaj janë projektet e reja që kanë të planifikuar vetëm 1 milion euro, të cilat realisht planifikohen të realizohen në vitet 2028 dhe 2029”, ka përfunduar Lushtaku.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e…