Lushaku-Sadriu: Qeveria ka dështuar në punën e përditshme shtetërore
Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën është “pa progres”.
Lushaku-Sadriu ka thënë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për raportin e sivjetmë, se Qeveria nuk i ka zbatuar rekomandimet e BE-së.
“Integrimi evropian i vendit tonë kërkon punë të përditshme shtetërore dhe pikërisht kjo punë ka dështuar, jo vetëm ngecur. Prandaj ky është thelbi i debatit të sotëm”, ka thënë ajo.
Deputetja ka thënë se në drejtësi, vendi për herë të parë ka “zero progres”.
“Një qeverisje që e ka ndërtuar identitetin e vet mbi premtime kundër korrupsionit, duhet të përgjigjet edhe në këtë hendek mes premtimit dhe rezultatit”, ka thënë ajo, ndërsa ka kritikuar, siç është shprehur, dështimin në luftimin e korrupsionit.
Ajo ka thënë se raporti evidenton “edhe shumë hendeqe të tjera”.
Lushaku-Sadriu ka thënë se “ky raport është përgjithësisht me notë jo kaluese”.
“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së kërkoj që këtu të mos përfundojmë vetëm një diskutim, por të dalim me kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës, e cila duhet t’i raportojë Kuvendit të Kosovës rregullisht, çdo tre muaj, për realizimin e raportit të progresit dhe kërkesave që dalin nga ai dhe brenda 30 ditësh të na e paraqesë një plan veprimi me veprime konkrete se si duhet të përmbushen këto kritere”, ka thënë ajo.



