Ia grabiti një personi 115 euro, i akuzuari në Gjakovë dënohet me 7 vjet burgim dhe 500 euro gjobë
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 7 vjet burgim dhe 500 euro gjobë personin A.M., shtetas i Kosovës, i cili akuzohej për grabitje.
A.M. u dënua lidhur me një rast të datës 1 qershor 2026, kur rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center”, në Gjakovë, së bashku me të miturit I.A. dhe A.A., fillimisht kishte lënë takim me të dëmtuarin E.B. Pasi e takuan në vendin e lartcekur, i pandehuri iu afrua të dëmtuarit dhe e kapi çantën e tij nga qafa, ndërsa në dorë mbante një thikë. Më pas filloi përleshja dhe i pandehuri, me dorezën e thikës që e mbante në dorën e djathtë, e goditi disa herë të dëmtuarin në krahun e majtë. Pastaj ia preu rripin mbajtës të çantës dhe ia mori çantën e krahut, me ngjyrë të zezë.
“Pasi ia merr çantën, i pandehuri e kishte hapur atë dhe nga aty e nxjerr një portofol, nga i cili i merr 115 euro. Pastaj, pasi e kontrollon çantën, revoltohet dhe, së bashku me të miturit, përsëri e godasin me grushte të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore”, është thënë në njoftim.
Komunikata e plotë:
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.M., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për grabitje, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, të pandehurin e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë (7) vjetësh dhe dënim me gjobë në shumën prej pesëqind (500) eurosh.
I pandehuri A.M. akuzohet se më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center”, në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë, së bashku me të miturit I.A. dhe A.A., fillimisht kishte lënë takim me të dëmtuarin E.B. Pasi e takuan në vendin e lartcekur, i pandehuri iu afrua të dëmtuarit dhe e kapi çantën e tij nga qafa, ndërsa në dorë mbante një thikë. Aty filloi përleshja dhe i pandehuri, me dorezën e thikës që e mbante në dorën e djathtë, e goditi disa herë të dëmtuarin në krahun e majtë. Pastaj ia preu rripin mbajtës të çantës dhe ia mori çantën e krahut, me ngjyrë të zezë. Pasi ia mori çantën, i pandehuri e hapi atë dhe nxori një portofol, nga i cili mori 115 euro. Më pas, pasi e kontrolloi çantën, u revoltua dhe, së bashku me të miturit, e goditën përsëri të dëmtuarin me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.



