Vushtrria ecën bashkë në shenjë të ndërgjegjësimit për diabetin
Vushtrria do t’i bashkojë qytetarët, institucionet dhe profesionistët shëndetësorë në një aktivitet sensibilizues kushtuar parandalimit dhe menaxhimit të diabetit.
Në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, Spitali Sheikh Zayed në Vushtrri organizon të enjten, më 12 nëntor, një ecje sensibilizuese me moton “Vushtrria ecën bashkë”.
Aktiviteti do të nisë në orën 10:00, nga ambientet e Spitalit Sheikh Zayed, ndërsa programi zyrtar do të vazhdojë në Kalanë e Vushtrrisë, ku janë paraparë fjalë rasti dhe aktivitete edukative për rëndësinë e parandalimit dhe kontrollit të diabetit.
Ndonëse Dita Botërore e Diabetit shënohet më 14 nëntor, organizatorët kanë zgjedhur datën 12 nëntor për të mundësuar pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve dhe institucioneve.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë shërbime shëndetësore falas, përfshirë matjen e glikemisë, testin HbA1c, matjen e tensionit arterial dhe peshës trupore, si dhe këshilla profesionale për kujdesin ndaj shëndetit.
Aktiviteti synon të përcjellë mesazhin se diagnostikimi i hershëm, ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti i rregullt fizik janë ndër faktorët kryesorë në parandalimin dhe menaxhimin e diabetit.
Nisma organizohet nga Spitali Sheikh Zayed në bashkëpunim profesional me endokrinologen Dr. Edita Blakaj Shala, PhD Candidate dhe Ambasadore e Global Diabetes Walk për Kosovën.
Aktiviteti do të përmbyllet rreth mesditës, me një program të veçantë për pjesëmarrësit.
“Eja, ec me ne” është thirrja e organizatorëve për të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme në mbështetje të shëndetit dhe ndërgjegjësimit për diabetin.




