E vërteta e luftës sonë çlirimtare nuk ka nevojë të zbukurohet, sepse nuk mund të bëhet më e bukur se ç’ishte

12 nëntor 2026 | 14:41

Shkruan: Hajdin Abazi

Kritika për qasjen ndaj zhvillimeve historike

Këtë shkrim nuk e kisha planifikuar, por u nxita nga një kritikë që mu bë. Me këtë pretekst, lindi ideja që ta trajtoja një temë të mprehtë dhe ende me ndjeshmëri të lartë. Një temë të cilën e kam përmendur edhe më parë, në disa artikuj e sidomos në librin “Takimi në Junik” kushtuar ngjarjes historike të takimit të UÇK-së me ambasadorin Richard Holbrooke, emisar special i presidentit amerikan Bill Clinton më 24 qershor 1998. Porse, për të qenë real, jo me fuqinë që duhej ta bëja dhe sidomos jo duke e përsëritur shpesh, ashtu sikurse e meriton një vlerë madhore e luftës sonë çlirimtare që u krijua nga të gjithë participuesit dhe me kontributin e shumicës absolute vullnetmire dhe të ndërgjegjshme për momentumin historik gjatë viteve të luftës 1998-1999. Pa këtë kritikë, mbase nuk do të më shfaqej kaq qartë mos vënia në epiqendër të qëndrimit dhe qasjes ndaj vlerës sonë madhore që e bën kaq krenare atë pjesë dramatike të historisë sonë të atyre viteve.

Po, në se godiste ajo kritikë?

Kritika, gjithsesi dashamirëse, mu bë nga një mik i imi shumë i çmuar pasi e kishte lexuar shkrimin tim me titull “UÇK na bashkoi sërish dhe e vuri shtetin në veprim”. Ai e vuri në spikamë pohimin se “UÇK-ja e zgjoi ndërgjegjen e politikanëve shqiptarë të të gjitha partive, sepse UÇK-ja ishte dhe është e të gjithëve që e donin dhe e duan lirinë, pa asnjë dallim e pa asnjë përjashtim”. Përderisa pajtohej parimisht se “duhej të ishte ashtu”, kontestimi bëhej te faktet historike, që sipas tij, demantojnë atë që kisha pohuar dhe tregojnë se nuk ishte ashtu as në vrullin e luftës më 1998-1999, as më pas e madje as sot.

Duke qenë se shpesh më bën kritika të ngjashme për shkrimet që botoj, e për mos ta nxehur bisedën, desha të eskivoja e ta amortizoja me shprehjen oportuniste se ky ishte thjesht vetëm një perceptim imi. Mirëpo manovra ime nuk piu ujë, sepse ai e shtoi dozën e argumentimin kontestues, gjë që i dha konotacion shumë serioz. Kritika, në thelb, prekte tri aspekte që njëmend ishin manifestuar dhe, në vija të trasha ishin ashtu. E para, se, ndonëse duhej, në të vërtetë, nga aspekti i participimit, nuk ishte e të gjithëve UÇK, sepse nuk ishte krijuar nga të gjithët. E dyta, se krijimi i UÇK nuk ishte mirëpritur nga të gjitha partitë politike të asaj kohe edhe pse do të duhej, por çka është më e keqja kishte pasur mospajtime dhe përpjekje për ta vënë nën kontroll, përpjekje kjo që shprehte pretendimet për pushtet. Dhe e treta, se edhe fundi i luftës i gjeti realisht të ndara organizativisht, ashtu sikurse kishin qenë gjatë tërë kohës së luftës. Dhe në fund, e përmbylli qasjen e tij kritike, duke thënë me të qeshur: “Je zbutë shumë!”, por, “realiteti nuk ndryshohet, miku im”.

Problemi, që duhej ta ndriçonim me të vërtetën

Njëmend, ato që tha ai, kishin njëfarë mbështetje, dhe ende, pikëpamje të tilla, janë prezentë kur flitet për atë periudhë të lavdishme të luftës sonë heroike çlirimtare.

Prandaj, ato aspekte që i parashtroi miku im, nuk mund të amortizoheshin me sportivitet apo me humor. Ishin probleme shumë të mprehta, të cilat kërkojnë ballafaqim për të krijuar një perceptim real, një botëkuptim korrekt dhe të përputhshëm me përmbajtjen e atyre aspekteve që u vunë në spikamë.

Kjo më bëri të reflektoj shpejt dhe ta kapi thelbin problematik të asaj kritikës që mu bë. Ai thelb ishte i një natyre me rëndësi tejet domethënëse, prej nga mund të derivohej, ashtu sikurse ishin derivuar, edhe mënyra se si sekush e kupton atë realitet historik për të cilin bëhej fjalë. Dhe shprehte, në një farë mënyre, atë keq perceptim që ishte përhapur në mënyrë shqetësuese mjaft gjerësisht i krijuar nga individë që nuk i njihnin rrjedhat si duhet, sekuencat fragmentare i përgjithësonin, episodet i merrnin si tërësi, i shihnin gjërat bardh e zi, e hiperbolizonin ndonjë rast periferik apo ndonjë incident a veprim aksidental, dhe mbuloheshin me shprehje retorike nga që kishin ngelur vetëm në atë nivel dhe nuk kishin kaluar në veprim që t’i jepte karakter përgjithësues, që gjendjet dhe raportet i merrnin si statike dhe jo se ato mund te evoluonin ashtu si edhe kishte ndodhur në realitet. Kjo shprehet në pohimin se “nuk ishim aspak unik, ashtu si e kërkonte momentumi historik”.

As ana tjetër e medaljes, ajo që përpiqet ta ndryshojë e zbukurojë realitetin, duke e idealizuar përtej asaj që ishte realisht, ndonëse do të ishte fat i madh të ishte ashtu, por që nuk qëndron dhe nuk është e vërtetë. Ky hiperbolizim shprehet në pohimin se “Adem Jashari ishte komandant i UÇK, Ibrahim Rugova ishte komandant suprem i luftës sonë çlirimtare”.

Propaganda anti-UÇK që nuk duhej ta injoronim

Njëmend, që nga vitet e luftës e edhe në këto tri dekada pas saj, është bërë aq shumë propagandë e orkestruar, ku dreqi e i biri, sa nga padija e rezonimi i ngushtë e disa edhe të paguar, kanë vjellë vrer e helm me mbidozë, duke e shtrembëruar aq keq të vërtetën sa më shumë dukej e pavërteta si e vërtetë se sa vetë e vërteta, madje jo vetëm për luftën e fundit, por për të gjitha luftërat e popullit tonë përgjatë historisë që paraqesin, në të vërtetë, identitetin tonë kombëtar.

Në rastin konkret për luftën e vitit 1998-1999, çka është më e keqja, vetë ne që kemi qenë pjesëtarë të UÇK nuk e kemi marrë si shumë seriozisht propagandën e tillë deformuese, që edhe nuk ishte e vërtetë e edhe bëhej me qëllim përçarjeje, shkaktim hutimi dhe shtrembërim të asaj që ishte zhvillim i njëmendtë, karakteristik dhe si emërues i përbashkët. Njëfarë injorimi i bënim, thua se vetë e vërteta ishte aq e imunizuar sa nuk mund të ndikohej perceptimi për të nga opinionet e fabrikuara ose nga hiperbolizimi i ndonjë incidenti sa të përjetohej se ai ishte kulmi i së keqes, kur në fakt nuk ishte aspak në ato përmasa. Sekush që e predimensiononte atë ose e bënte me agjenda për të komprometuar luftën tonë të pastër çlirimtare në llogari të armiqve të lirisë sonë, ose e bënte ngaqë ishte ndikuar prej propagandës anti-UÇK.

Dhe ai shtrembërim ishte përhapur aq shumë, sa thuaja po e mbulonte me damkosje vlerën më të pastër të mundshme të lirisë sonë, luftën çlirimtare. Se kjo nuk është e pamundur, duhet të kujtojmë se, ndonëse dielli për nga përmasa dhe ndriçimi është trupi më i madh qiellor në sistemin tonë diellor, retë e zeza, të cilat kanë përmasa të papërfillshme krahasuar me diellin, neve në tokë na e zënë diellin dhe ditën mund ta kthejnë në një muzg. Në ngjashmëri, edhe narrativa anti-UÇK, mundet ta errësojë arsyen dhe perceptimin.

Këtë frymë anti-UÇK thuaja të gjithë e kemi injoruar dhe shteti nuk ka qenë aq azhur sa duhej të ishte që nga fillimi. Mbase ishte menduar se me veprimet unifikuese juridike dhe institucionale, ishte kryer puna. Vërtet janë bërë disa gjëra të duhura, por jo në përmasat e nevojshme. Një dëm e kanë shkaktuar tendencat për politizim ose përvetësim të vlerave të UÇK, veprime këto që ishin në kundërshtim me punët e mirëfillta që ishin bërë.

Injorimi ynë ndaj narratives shpifëse anti-UCK ishte jo vetëm i gabuar, por edhe i dëmshëm, sepse duke mos ia kundërvënë narrativen e vërtetë të UÇK, i kemi krijuar terren gënjeshtrës, shpifjes, stisjeve, frymës absurde kundër luftës sonë çlirimtare që shprehej jo si tërësi “në raste”, sepse kështu disi dukej më e besueshme dhe mund të zinte vend. Po të mblidhen këto “raste” duket sikur janë konkretizime dhe, dashje pa dashje, në funksion të asaj kundërvënie që i kishte bërë dhe që ende vazhdon t’ia bëjë nga pozitat armike Serbia luftës sonë çlirimtare, pavarësisë dhe shtetbërjes së Kosovës.

E vërteta, ashtu sikurse ishte në realitetin e asaj kohe, në raportet e ndërsjella, qëndrimet, veprimet dhe gjendjen organizative, nuk është as aq e errët sa e paraqesin skeptikët por as aq e ndritshme sa pretendon ndonjë me fraza artificiale. E vërteta nuk ndriçohet as duke i tejmprehur raportet e asaj kohe e as duke i sheshuar dallimet dhe mospajtimet. Jo, sepse e vërteta nuk është në asnjërin ekstrem. Ajo është diku në mes, mes i cili ka ndryshuar raportet për të mirë në terren, ndërkohë që raportet në nivel kombëtar midis dy organizimeve mbeteshin të ndara.

Krahasimi me përçarjen e boshnjakëve është absurd dhe pa asnjë bazë

Më ka rastis të dëgjoje ndonjë krahasim krejt surreal, që s’janë veçse thjesht konstruksione dhe tërësisht të pavërteta.

Duke u nisur nga ngjarje të historisë sonë ndër shekuj kur kishte ndodhur të kishte fraksione dhe madje edhe ndonjë konfrontim me armë midis shqiptarëve, kjo analogji bartej edhe në luftën çlirimtare të viteve 1998-1999.

Kjo mund të jetë ushqyer, mbase, nga aparenca, që ngjasonte me mostrën e rasteve fatkeqe të disa rasteve në histori: organizimi i ndarë i njësive çlirimtare.

I këtillë është një perceptim se ishim të përçarë e të armiqësuar gjatë luftës si edhe boshnjakët, por, në realitet, nuk ka aspak ngjashmëri, as politike e as kombëtare.

Dihet se në luftën e boshnjakëve (1992-1995) kundër forcave serbe, boshnjakët u përçanë në dy forcave rivale. Në njërën anë, ishin forcat e rezistencës shtetërore në krye me presidentin e atëhershëm Alija Izetbegoviq, i cili mbronte kombin e boshnjakëve dhe luftonte kundër forcave terroriste serbe. Në anën tjetër, ishin forcat e krijuara nga Fikret Abdiq, i cili u rreshtua me forcat serbe kundër kroatëve dhe kundër forcave boshnjake të Izetbegoviqit.

Midis këtyre dy forcave, rivaliteti eskaloi në armiqësi të egër, gjë që çoi në luftime të përgjakshme, kjo e dobësoi dhe e dëmtoi jo pak çështjen boshnjake.

E vërtetë se edhe në rezistencën shqiptare të viteve 1998-1999 kishte dy organizime si forca anti-pushtuese, të cilat njëmend ishin të ndara organizativisht dje drejtoheshin nga shtabet e tyre, veçse jo vetëm nuk eskaluan në luftë të ndërsjellë, po ka ndodhur, fatmirësisht, krejt e kundërta dhe në asnjë dimension nuk e kanë dëmtuar çështjen shqiptare.

Prandaj, ndonëse luftonim kundër të njëjtit armik, për nga raportet e ndërsjella dhe ndaj armikut, një krahasim i tillë është absolutisht i paqëndrueshëm dhe nuk përkon askund me realitetin. Në Kosovë, dhe askund ndër shqiptarët që bënë luftë çlirimtare, nuk ka pasur asnjë rast konfrontimi me armë, asnjë luftë me njëri-tjetrin. Qoftë edhe vetëm kjo, ç’është e vërteta, ishte një fitore kombëtare.

Nuk janë incidentet, po qëllimi ai që i jep tiparet një lufte

E vërteta e luftës sonë çlirimtare është aq vezulluese dhe krenare në aspektin programor, po edhe në raportet e ndërsjella, sa në histori do të jetë si një faqe e lavdishme dhe e ndërgjegjes së lartë kombëtare.

Kjo nuk domethënë se gjithçka ishte ideale, se nuk kishte ndonjë incident, ndonjë aksident fatkeq.

Porse ato, ndonëse ishin raste të dhembshme, fatmirësisht mbeten të izoluara dhe nuk lënduan pariparueshëm raportet e ndërsjella. Pikërisht këtu shprehet ndërgjegjja e lartë kombëtare e të gjithë aktorëve që drejtpërdrejt apo tërthorazi ishin përfshirë në rezistencën kundër Serbisë e që kontribuan në amortizimin e incidenteve dje tejkalimin e tyre. Domethënë nuk u thelluan, nuk u bënë struktura të formësuara dhe përçarëse, ndaj dhe ngelën sterile..

Rastet që mbeten të izoluara, në asnjë mënyrë nuk duhet mohuar e as fshehur, por nuk i përcaktojnë tiparet e luftës.

Nuk është fjala për grindje, mospajtime, pikëpamje apo qasje të ndryshme, mendim politik apo përkatësi organizative, sepse këto janë normale të shprehen jo vetëm midis dy organizimeve të ndara, por edhe brenda tyre. Përderisa ato mbeten në nivel verbal, nuk konsiderohen konfrontime apo konflikte.

Kurse incidentet dhe aksidentet zakonisht kanë përfundim tragjik.

Do të sjellë ndonjë shembull.

Ka ndodhë që gabimisht, në ndërrimin e rojës, natën, ushtari i UÇK e ka vrarë ushtarin tjetër të UÇK, për shkak se njëri e ka harruar devizën dhe nuk ishte identifikuar, e tjetri e kishte pandehur se mund të ishte armiku. Ani se ata nuk janë njohur mes vete, nuk kanë pasur asnjë grindje apo mosmarrëveshje personale apo familjare. Ishte një aksident tragjik. Kjo nuk mund të cilësohet si luftë midis pjesëtarëve të UÇK-së, sepse nuk ishte aspak e tillë.

Ose ka ndodhur që ushtari që kishte paksa përvojë nga lufta e kishte ndihmuar ushtarin tjetër, të papërvojë, që të çmontonte dhe montonte armën dhe aksidentalisht e kishte plagosur atë.

Incidente e aksidente të tilla kanë ndodhur edhe nga NATO gjatë bombardime kundër caqeve të forcave serbe në Kosovë. Dhe në to janë vrarë qytetarë civilë, të pafajshëm. Por caku nuk ishin civilët. Objektivi ishte gabuar. Kjo, me gjithë dhembjen dhe fatkeqësinë, nuk e ndryshon karakterin e intervenimit të NATO-s. Sepse nuk ishte një veprim i planifikuar e i organizuar nga ndokush, i bërë me qëllim. Objektivi i NATO-s mbeti i përcaktuar qartë: goditja e forcave agresore serbe që po bënin gjenocid dhe spastrim etnik ndaj shqiptarëve.

Ose rasti tragjik, kur një ushtar i forcave amerikane në kuadër të KFOR-it e dhunon dhe e mbyt një të mitur shqiptare në komunën e Ferizajt. Ai e kishte bërë një veprim të tillë, fillimisht dhunimin e pastaj edhe vrasjen, duke shkelur normat dhe etikën ushtarake. Nuk ishte planifikuar, nuk ishte bërë organizim për atë akt. Ishte veprim personal dhe përgjegjësi individuale e tij. Nuk ishte vepër e KFOR-it amerikan. Dhe kjo u kuptua drejt asokohe, ndaj dhe kurrë nuk pati një urrejtje apo armiqësi ndaj forcave amerikan; përkundrazi, ato ndjeheshin nga populli si mbështetësit kryesor të çlirimit të Kosovës.

Nuk ka kategori më të lartë estetike se sa madhështorja

Lufta çlirimtare e Kosovës nuk ka asgjë që duhet të injorohet ose të mohohet.

Incidentet, ngjarjet aksidentale e fatkeqe vetëm shpërfaqin lindjen dhe formimin e saj jashtëzakonisht të vështirë në kushtet krejt të pavolitshme kur luftohej nga të gjitha anët.

Ndaj dhe rruga e luftës sonë çlirimtare ka qenë e shtruar me barriera të llojllojshme dhe të shoqëruar me terror shtetëror nga Serbia.

Vetë fakti se ajo ka arritur të organizohet, të shndërrohet në njësi guerile e deri te hapja e vijave të frontit, si dhe të mos e devojojë në asnjë rast të vetëm kursin çlirimtar është tregues i forcës dhe i legjitimitetit të saj kur të vetmen mbështetje e kishte nga populli shqiptar.

Lufta mbrojtëse çlirimtare kishte buruar nga nevoja jetike e popullit për mbijetesë nga terrori sistematik që kulmoi me gjenocid e shpërngulje biblike të shqiptarëve pikërisht gjatë viteve të luftës.

Lufta çlirimtare ishte shprehje e vullnetit të popullit, përmes bijve e bijave të tij të gatshëm për veprim, sakrificë e flijim vetëm e vetëm që të hiqej qafesh zgjesha e robërisë serbe që po e ngulfaste, dhe ta fitonte lirinë.

Ndaj dhe lufta çlirimtare u bë faktor vendimtar sa u njoh nga bota liridashëse, u njoh de facto sepse lufta mbrojtëse e popullit tonë nuk ishte kundër komunitetit serb në Kosovë, por ekskluzivisht kundër regjimit pushtues dhe kurrë e asnjëherë nuk u devijua nga ky përcaktim, si dhe nga objektivi për liri kombëtare.

Prandaj, kjo e vërtetë konstante është aq madhore sa duket si një mrekulli. Shi për këtë, ne nuk kemi nevojë ta zbukurojmë në asnjë mënyrë, e as estetikisht, që të duket më e bukur.

Jo.

Sepse nuk ka kategori estetike më të bukur se sa madhështorja.

E pikërisht e tillë ishte lufta çlirimtare e popullit tonë në vitet 1998-1999.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka…