Ligji për Specialen, Çitaku: PDK-ja është e hapur për konsultime me BE-në, aleatët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile

12 nëntor 2026 | 15:31

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se nga e hëna do të nisë procesi i amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa ka paralajmëruar se brenda dy javësh do t’i paraqiten Kuvendit ndryshimet e propozuara.

Ajo ka thënë se synimi është që ligji të jetë më i qëndrueshëm juridikisht, duke theksuar se PDK-ja është e hapur për konsultime me Bashkimin Evropian, aleatët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile.

Çitaku, për “KosovaPress”, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dëshmuar vetëdije të lartë politike dhe kombëtare gjatë trajtimit të këtij ligji, duke shprehur bindjen se ai do të marrë mbështetjen e nevojshme edhe në seancën e radhës plenare, e cila do të mbahet të premten.

Ajo ka theksuar se mospajtimet me Lëvizjen Vetëvendosje kanë qenë vetëm rreth procedurave për ndryshimin e ligjit, ndërsa qëllimi, sipas saj, mbetet i përbashkët.

“Deputetët e Kuvendit demonstruan një shkallë të lartë të vetëdijes edhe politike dhe kombëtare. Ky nuk është ligj për PDK-në, as për një subjekt politik, është ligj për Kosovën jo vetëm për historinë, por edhe për të ardhmen e saj. Unë besoj, ngjashëm siç u votua mocioni për rend dite, do votohet edhe ligji në seancë plenare. Menjëherë ditën e hënë, do të sjellim në Kuvend amendamentet e reja të ligjit. Mospajtimi i vetëm që kemi pasur me Lëvizjen Vetëvendosje është në procedurë, ata kanë vlerësuar që nuk mund të bëhen ndryshime, por procedura fare pak ka rëndësi, ne jemi të bashkuar rreth të njëjtit qëllim, miratimit të ligjit, në funksion të mbrojtjes së katër ushtarëve, themeluesve të UÇK-së në Hagë”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka theksuar se synimi është ruajtja e thelbit të ligjit, por edhe plotësimi i tij me argumente më të forta juridike, duke marrë parasysh sfidat me të cilat mund të përballet.

“Pasi kemi miratuar ligjin me 6 tetor në rrethana tërësisht të jashtëzakonshme, ne kemi pranuar propozime të vlefshme të cilat ligjin do ta bënin më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm, synimi ynë është që të ruhet thelbi i ligjit, qëllimi i ligjit, por meqë kemi mundësi ta plotësojmë atë e kemi vlerësuar jashtëzakonisht të rëndësishme sepse është ligj mjaft serioz, i cili do të sfidohet në shumë nivele dhe është shumë e rëndësishme që ai ligj të jetë sa më i fortifikuar me argumente juridike. Ne kemi besuar se rregullorja e punës së Kuvendit ia len Kuvendit mundësinë e ndryshimit të ligjit, mirëpo ne kemi pasur lexime të ndryshme dhe ne jemi pajtuar që në këtë fazë, në mënyrë që Kosova të mos mbetet pa ligj, ta miratojmë ligjin siç e kemi miratuar në dy leximet”, ka thënë ajo.

Çitaku ka bërë të ditur se PDK-ja është zotuar që brenda dy javësh, duke filluar nga e hëna, t’ia dorëzojë Kuvendit ndryshimet e propozuara.

Ajo ka folur edhe për shqetësimet e ngritura nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë lidhur me ligjin, duke theksuar se janë të gatshëm të diskutojnë me të gjitha palët e interesuara.

Sipas saj, qëllimi nuk është insistimi në një qëndrim partiak, por sigurimi i një ligji sa më të qëndrueshëm, për të cilin do të merren parasysh edhe propozimet e shoqërisë civile.

“Është zotim i yni publik që brenda dy javësh nga e hëna Kuvendit do t’ia sjellim ligjin me ndryshimet e propozuara, jemi të hapur për diskutime, konsultime e di se ka shumë palë të shqetësuara, qoftë Bashkimi Evropian, aleatët tjerë, shoqëria civile, kam parë një iniciativë për të ardhur dhe dhënë kontribut, dyert tona do të jenë të hapura, kjo për ne nuk është çështje egoje apo krenarie, për ne është e rëndësishme të kemi një ligj sa më të qëndrueshëm. Ne kemi qenë të gatshëm edhe tani që të flasim, kemi besuar se rregullorja na mundëson rishqyrtimin, mirëpo pasi u vendos se nuk mund të ketë ndryshime, ne jemi të hapur që nga dita e hënë të ulemi dhe të flasim me të gjithë”, ka thënë ajo.

Kuvendi i Kosovës ka votuar me 79 vota për përfshirjen në rendin e ditës të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky projektligj ishte miratuar më 6 tetor në dy leximet, mirëpo i njëjti është kthyer sërish në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula, me kërkesë të PDK-së.

Kjo pikë është vendosur si e fundit në rendin e ditës të seancës, pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

Kryetarja e Kuvendit e ka shtyrë seancën për ditën e premte, në orën 11:00.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur…