Konsulli Vigan Berisha pret në Cyrih themeluesin e INSI-t, Ismajl Baftijarin, diskutohet bashkëpunimi në fusha strategjike
Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka pritur në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme Ismajl Baftijarin, themelues dhe drejtor ekzekutiv të Institutit për Shkencë dhe Teknologji (INSI), i shoqëruar nga Edmond Shyti.
Gjatë takimit u diskutua për veprimtarinë profesionale të Baftijarit, kontributin e INSI-t në fushën e planifikimit urban dhe hapësinor, zhvillimet teknologjike, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Baftijari është profesionist me mbi dy dekada përvojë në planifikimin urban, zhvillimin hapësinor dhe integrimin e teknologjisë në sektorin publik dhe akademik. Ai ka përfunduar studimet master në Ndërtimtari në Universitetin e Prishtinës dhe aktualisht është kandidat për doktoratë në Universitetin Teknik të Vjenës (TU Wien), në fushën e planifikimit urban dhe hapësinor.
Gjatë luftës çlirimtare ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa pas luftës kontribuoi në proceset e rindërtimit të vendit dhe në planifikimin hapësinor, përfshirë bashkëpunimin me UN-Habitat.
Në vitin 2010 themeloi INSI-n, institucion që ofron shërbime profesionale në planifikimin urban e hapësinor, hartimin e planeve zhvillimore komunale dhe hartave zonale, mobilitetin e qëndrueshëm, infrastrukturën, studimet mjedisore, zhvillimin ekonomik dhe teknologjinë informative.
Kontributi i tij profesional përfshin edhe bashkautorësinë e katër udhëzuesve për planifikimin urban, të botuar nga UN-Habitat, ndër të cilët edhe botimin “Inclusive and Sustainable Urban Planning: A Guide for Municipalities”, si dhe autorësinë e dhjetëra studimeve dhe dokumenteve profesionale.
Baftijari është gjithashtu i angazhuar në fushën e shkencës dhe teknologjisë në nivel evropian, ku mban pozitën e nënkryetarit të grupit punues të EU STEM Coalition për Inteligjencën Artificiale në Arsim dhe Industri.
Një tjetër dimension i veprimtarisë së tij është angazhimi në Rotary, ku ka shërbyer si Asistent Guvernator i Rotary District 2485 dhe është përzgjedhur për të marrë detyrën e Guvernatorit të Distriktit Shqiptar të Rotary-t për mandatin 2028–2029. Krahas kësaj, ai merret edhe me krijimtari letrare dhe është autor i disa veprave poetike, ndër të cilat “Frymë e det”, “Psalmë shpirti” dhe “Guri i zemrës”.
Në vizitë ishte i pranishëm edhe Edmond Shyti, ekspert me përvojë në projekte të USAID-it, ku në projektin e fundit në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike kishte ushtruar funksionin e menaxherit të projektit.
Pritja në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih u zhvillua në frymën e shkëmbimit të përvojave dhe diskutimit për mundësi të reja bashkëpunimi në fusha të rëndësishme për zhvillimin profesional, institucional dhe teknologjik të Kosovës.



