Jashari, Vitisë: Prej vitit 2021 keni mungesë të barnave esenciale, problemet po ju vazhdojnë vit pas viti

13 nëntor 2026 | 12:16

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka folur në seancën e sotme të Kuvendit, ku po zhvillohet interpelancë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe me mungesën e barnave onkologjike.

Jashari e ka kritikuar Vitinë lidhur me udhëheqjen e ministrisë, duke thënë se problemet “po ju vazhdojnë vit pas viti” dhe se ka mungesë të barnave esenciale që nga viti 2021.

“Këtë interpelancë e kemi iniciuar pas ankesave të shumta të qytetarëve për mungesën e barnave, veçanërisht të atyre që përdoren në trajtimin e kancerit. Duam të dërgojmë mesazh të qartë: shëndetësia, sigurimi i barnave dhe përmirësimi i kushteve duhet të jenë prioritete reale buxhetore, jo vetëm premtime në letër. Qytetarët kanë të drejta, institucionet kanë detyrime.

Ne duhet të punojmë dhe të angazhohemi që asnjë pacient me kancer të mos zgjohet në mëngjes me shqetësimin nëse atë ditë do ta ketë terapinë. Asnjë familje nuk duhet të detyrohet të hyjë në borxhe, të shesë pasurinë apo të kërkojë ndihmë nga të tjerët për të siguruar një bar që shteti e ka detyrim t’ia ofrojë. Sepse, kur një qytetar detyrohet të luftojë për të siguruar terapinë që i nevojitet për të jetuar, atëherë kemi të bëjmë me papërgjegjësi shtetërore. Katër muaj, zoti ministër, katër muaj pa barin që i ndihmon në terapinë e kancerit. Për ju mund të jetë vetëm një tender që është vonuar, por për atë grua ishin katër muaj pritje për një bar, ndërsa sëmundja nuk pret. Problemi i mungesës së barnave nuk ka filluar këtë muaj, ai po përsëritet prej vitesh. Prej vitit 2021 ju keni mungesë të barnave esenciale dhe problemet po ju vazhdojnë vit pas viti”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një aksident ka ndodhur para pak minutash në rrugën Komoran-Carralevë,…