Kurti në mbledhjen e qeverisë: Do ta ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka paralajmëruar tri vendime që lidhen me sektorin e energjisë, përfshirë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, vendosjen e obligimit publik për KEK-un për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor dhe masa emergjente që përfshijnë Ibër-Lepencin.
Kurti ka thënë se ndalimi i tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe do të jetë masa e parë ndaj Serbisë, për shkak të bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim, duke paralajmëruar se kjo masë mund të përshkallëzohet nëse nuk ka reflektim.
Ai ka bërë të ditur se qeveria do t’i vendosë KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, ndërsa në kuadër të masave emergjente në energji do të obligohet edhe Ibër-Lepenci që ta shesë energjinë për furnizimin e shërbimit publik.
Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për vizitat e tij në Francë dhe Irlandë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe liderë ndërkombëtarë.
Në Paris, ai ka thënë se është pritur dy herë në Pallatin Élysée, fillimisht në një mbrëmje të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe zonja e parë Brigitte Macron, e më pas në një takim bilateral.
Kurti ka thënë se në të gjitha këto takime është theksuar përkushtimi i Kosovës ndaj të ardhmes euroatlantike.
Në lidhje me integrimin evropian, kryeministri ka kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian të kërkojë mendim nga Komisioni Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 15 dhjetor 2022, gjatë presidencës çeke të BE-së.
“Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave pranë institucioneve, të mos vonohet edhe më tutje, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin tonë të dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në kohën kur Republika Çeke mbante presidencën e Bashkimit Evropian. Për ne, procesi nuk është më pak i rëndësishëm sesa arritjet në cak. Meqenëse, me përmbushjen e reformave, përveçse lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet”, ka thënë Kurti, raporton “Ekonomia Online”.
Ai ka ritheksuar se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik i Kosovës, duke e cilësuar atë të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë. Ndërsa, sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka thënë se kjo do t’i mundësonte Kosovës pjesëmarrjen në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke iu kthyer sektorit të energjisë, Kurti ka dhënë detaje për tri vendimet që qeveria ka paraparë t’i marrë në këtë mbledhje, duke e lidhur ndalimin e tregtimit të energjisë me kompanitë serbe me bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim.
“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim. Gjithashtu, për t’u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkoneksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, si dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e Ibër-Lepencit për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit publik”, ka thënë ai.



