Kosova pjesë e ceremonisë përkujtimore të ‘Ditës Kombëtare të Zisë’ në Berlin

16 nëntor 2026 | 10:59

Për herë të parë, një delegacion nga Kosova është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të “Ditës Kombëtare të Zisë” (National Day of Mourning), të organizuar në Berlin nga organizata gjermane “Volksbund Deutsche Kriegsgräberfürsorge”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka vlerësuar këtë ftesë si një moment të veçantë për Kosovën dhe një dëshmi të rritjes së respektit dhe njohjes ndërkombëtare.

“Për herë të parë, Kosova është pjesë e kësaj ceremonie të rëndësishme përkujtimore në Berlin. Ky është një moment domethënës për vendin tonë dhe një dëshmi se lidhjet tona me partnerët ndërkombëtarë po forcohen gjithnjë e më shumë”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për Arsim Gërxhaliun, duke vlerësuar kontributin e tij profesional dhe njerëzor në ruajtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave.

“Mirënjohje e thellë për Arsim Gërxhaliun, kontributi njerëzor dhe profesional i të cilit gëzon respekt jo vetëm në Kosovë, por edhe përtej saj, veçanërisht në Gjermani. Puna e tij në shërbim të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave ndërton ura besimi që shkojnë përtej kufijve”, ka shkruar Rama.

Në fund, Rama ka shprehur kënaqësinë për thellimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe partnerëve gjermanë, duke nënvizuar rolin e Prishtinës në këtë proces.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që lidhjet tona po forcohen dhe që Kryeqyteti, Prishtina, është pjesë e këtij afrimi. Besimi, respekti i ndërsjellë dhe kujtesa historike janë vlera që na bashkojnë dhe krijojnë mundësi për bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar pas vendimit të…