Çitaku: Keqardhja e komisioneres Kos nuk mjafton, Kosova ta trajtojë këtë skandal
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklarimit të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës nacionaliste serbe, e cila u interpretua në koncertin e organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel.
Sipas Çitakut, keqardhja e saj nuk mjafton, prandaj nevojiten kërkimfalje, sqarim dhe garanci se një gjë e tillë nuk do të përsëritet.
“Kosovën e lënë jashtë, provokimit i japin skenë! Në një forum për të ardhmen evropiane të rajonit, interpretimi i një melodie nacionaliste serbe që ushqen pretendime ndaj Kosovës është skandal dhe provokim i hapur. Mes injorancës dhe qëllimit, shpresojmë të ketë qenë e para. Por asnjëra nuk e përjashton përgjegjësinë institucionale. Keqardhja e komisioneres Marta Kos është e nevojshme, por nuk mjafton. Komisioni Evropian nuk mund t’ua bartë përgjegjësinë vetëm muzikantëve. Kërkojmë sqarim, kërkimfalje dhe garanci për mospërsëritje. Pajtimi fillon me respektin për kujtesën dhe dinjitetin e secilit popull”, ka shkruar Çitaku në rrjetet sociale.
Duke e cilësuar këtë rast si skandal, ajo ka thënë se Kosova duhet t’i përdorë të gjithë mekanizmat për ta trajtuar atë dhe për të kërkuar përgjegjësi.
“Përkushtimi ynë ndaj BE-së mbetet i palëkundur. Pikërisht për këtë, kërkojmë përgjegjësi në emër të vlerave evropiane. Kosova meriton vendin dhe zërin e saj në debatin për zgjerimin. Institucionet tona duhet të përdorin të gjithë mekanizmat institucionalë dhe diplomatikë për ta trajtuar këtë skandal dhe për të kërkuar përgjegjësi. E ardhmja evropiane e rajonit nuk ndërtohet duke përjashtuar Kosovën dhe duke u dhënë skenë pretendimeve kundër saj”, ka shkruar Çitaku.



