Marta Kos shpreh keqardhje për këngën nacionaliste serbe: Nuk pasqyron qëndrimet e KE-së

16 nëntor 2026 | 10:25

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës nacionaliste serbe nga ana e muzikantëve, në koncertin e mbajtur të dielën, më 15 nëntor.

Sipas saj, kjo përzgjedhje në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian. Ajo ka theksuar se qëllimi nuk është harrimi i dallimeve, por ndërtimi i një Evrope ku ato nuk do të përbëjnë pengesë për të ardhmen e përbashkët.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në atë pjesë të Evropës në të kaluarën”, ka thënë Kos.

Gjatë koncertit të së dielës në mbrëmje u prezantuan këngë nga secili vend i rajonit. Megjithatë, si përfaqësuese muzikore e Kosovës, në repertor u përzgjodh kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, këngë nacionaliste serbe e interpretuar në një koncert në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit, e cila shkaktoi reagime dhe polemika.

Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga zyrtarët në Prishtinë. Kënga është krijuar në vitin 1989, me rastin e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në një periudhë që përkoi me ngritjen politike dhe konsolidimin e pushtetit të ish-presidentit serb dhe jugosllav, Slobodan Millosheviq.

Ndryshe, Forumi për Zgjerim është forumi i dytë vjetor i Komisionit Evropian, kushtuar procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Nikoqire e tij është komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Ky aktivitet mbledh zyrtarë të lartë të BE-së, liderë politikë të vendeve kandidate, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ky është viti i dytë radhazi që asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës nuk është ftuar të marrë pjesë në forum.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka komentuar vendimin e Qeverisë…