Fundi i një epoke në Champions League, Nike ia zë vendin Adidasit nga viti 2027
Topi ikonik me yje i Ligës së Kampionëve do të ketë një epilog historik.
Pas 26 vjetësh, Adidas do të largohet nga gara më prestigjioze evropiane për klube, ndërsa nga sezoni 2027/28 përgjegjësinë për prodhimin e topit zyrtar do ta marrë gjiganti amerikan Nike.
Marrëveshja katërvjeçare do të zgjasë deri në sezonin 2030/31 dhe do të përfshijë të gjitha garat kryesore të UEFA-s për klube.
Përveç Champions League, Nike do të prodhojë topat edhe për Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës, Superkupën e Evropës, Ligën e të Rinjve dhe Champions League në futsall.
Për Adidasin, ky është fundi i një bashkëpunimi që nisi në vitin 2001 dhe që solli një prej simboleve më të njohura të futbollit botëror: topin me yje.
Nike, në fakt, nuk është emër i panjohur në këtë garë, pasi kishte furnizuar Champions League-n edhe në periudhën 1997–2001, përpara se të zëvendësohej nga kompania gjermane.
Sipas të dhënave të marrëveshjes, vetëm në Champions League, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës do të zhvillohen 531 ndeshje për sezon, që nënkupton 2.124 ndeshje me topat e prodhuar nga Nike gjatë kontratës.
Një ndryshim historik që do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në identitetin vizual të futbollit evropian.



