Edon Zhegrova, dribluesi më i mirë i Ligës së Kombeve
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, është dribluesi më i mirë deri më tani në sezonin aktual të Ligës së Kombeve.
Bazuar në statistikat e publikuara deri më tani, Zhegrova i prin bindshëm listës për numrin më të madh të driblimeve të kompletuara.
Në pesë ndeshje të zhvilluara me Kosovën në kuadër të Grupit B3, Zhegrova ka regjistruar 20 driblime të kompletuara.
Sulmuesi i krahut ka lënë pas vetes reprezentuesin e Norvegjisë, Antonio Nusa, i cili renditet i dyti me 15 driblime të kompletuara, kurse futbollisti i Turqisë dhe Real Madridit, Arda Güler, me 12 driblime të kompletuara zë vendin e katërt.
Zhegrova do t’i mungojë Kosovës në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, atë kundër Irlandës, që zhvillohet të martën mbrëma në Dublin, për shkak të lëndimit.
Ai është liruar nga grumbullimi i Kosovës një ditë pas ndeshjes me Izraelin, ndërsa në pesë paraqitje në këtë sezon të Ligës së Kombeve, Zhegrova ka realizuar një gol dhe një asistim.



