Eurodeputeti Kyuchyuk: Kosova meriton respekt, meloditë nacionaliste minojnë pajtimin
Eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk ka kërkuar që Kosova të respektohet pas lëshimit të melodisë së një kënge nacionaliste serbe në koncertin e organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel.
Në një postim në rrjetin social “X”, deputeti i Parlamentit Evropian ka shkruar se dhënia e skenës për meloditë e këngëve nacionaliste serbe në Bruksel e minon frymën e pajtimit rajonal dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
“Kosova meriton respekt të plotë dhe përfshirje në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Dhënia e skenës për meloditë nacionaliste në ceremoninë hapëse të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel minon frymën e pajtimit rajonal dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Në mbështetje të Kosovës dhe progresit të saj demokratik”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për muzikën e këngës nacionaliste serbe që u lëshua në koncertin e organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel. Ajo ua ka lënë përgjegjësinë muzikantëve për përzgjedhjen e melodisë.



