AKK-ja kundërshton SBAShK-un: Komunat nuk do t’i bartin kostot e kontratave kolektive
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka kundërshtuar deklaratat e përfaqësuesve të SBAShK-ut, të cilët ua ngarkojnë komunave përgjegjësinë për pasojat financiare të kontratave kolektive të nënshkruara në nivel qendror.
“AKK-ja dhe kryetarët e komunave gjithmonë i kanë respektuar dhe mbështetur të drejtat e punëtorëve arsimorë. Megjithatë, komunat nuk kanë kapacitete buxhetore që detyrimet financiare të këtyre kontratave t’i mbulojnë nga buxhetet e tyre, duke cenuar investimet dhe shërbimet për qytetarët”, është thënë në reagimin e AKK-së.
Sipas AKK-së, SBAShK-u, gjatë negocimit dhe nënshkrimit të kontratave kolektive me Ministrinë e Arsimit, është dashur të kërkojë që financimi për zbatimin e tyre të sigurohet nga niveli qendror.
“Nuk është e pranueshme që marrëveshjet të lidhen në nivel qendror, ndërsa fatura financiare t’u kalojë komunave, të cilat nuk kanë qenë palë nënshkruese. SBASHK-u e ka ditur dhe e di se vendimmarrja për sigurimin e financimit dhe përcaktimin e vijave të posaçme buxhetore për zbatimin e këtyre kontratave bëhet në nivel qendror. Komunat nuk mund t’i krijojnë vetë mjetet financiare që kërkon zbatimi i tyre. Prandaj, pretendimi se komunat është dashur thjesht t’i planifikonin këto shpenzime shpërfill mënyrën se si sigurohet dhe miratohet financimi i tyre”.
“Në vend që përgjegjësia t’u atribuohej komunave, SBASHK-u është dashur t’i drejtonte kërkesat për sigurimin e mjeteve tek institucionet qendrore me të cilat i ka lidhur këto kontrata. Gjithashtu, është dashur t’i udhëzonte dhe mbështeste punëtorët arsimorë që kërkesat për realizimin e të drejtave të tyre, përfshirë ndjekjen e rrugëve ligjore, t’i orientonin ndaj institucioneve përgjegjëse në nivel qendror. Pasojat e deritanishme për buxhetet komunale kanë qenë të rënda”, është thënë në reagimin e AKK-së.
Mes të tjerash, AKK-ja pretendon se mjetet e destinuara për projekte dhe shërbime për qytetarët janë shpenzuar për detyrimet nga kontratat kolektive, si dhe për kostot shtesë të procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.
“Qëndrimi i Bordit të AKK-së është i qartë: komunat nuk janë të gatshme të bartin pasojat financiare të kontratave të reja kolektive. Çdo kontratë e re duhet të shoqërohet me financim të plotë dhe të garantuar nga buxheti qendror, me vijë të veçantë buxhetore për zbatimin e saj. Respektimi i të drejtave të punëtorëve arsimorë kërkon përgjegjësi edhe nga ata që negociojnë dhe nënshkruajnë zotimet financiare. Këto zotime duhet të kenë mbulim të siguruar financiar dhe nuk mund të vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetet komunale dhe qytetarët”, është thënë në reagimin e AKK-së.



