Çitaku: Koordinimi transatlantik dhe kohezioni i brendshëm janë thelbësorë për të ardhmen e Kosovës në BE dhe NATO
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka marrë pjesë në panelin “E ardhmja e Kosovës në Evropë”, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Strategjisë, së bashku me profesorin Daniel Serwer, me moderim të Ylber Bajraktarit.
Gjatë diskutimit, Çitaku ka theksuar se arritjet më të rëndësishme të Kosovës dhe rajonit kanë ardhur përmes koordinimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ajo ka nënvizuar se forcimi i këtij bashkëpunimi mbetet thelbësor për paqen, sigurinë dhe integrimin euroatlantik.
“Ne duam të bashkëpunojmë ngushtë me ShBA-në dhe BE-në. Nuk duam të zgjedhim ndërmjet tyre. Sukseset më të mëdha në rajonin tonë janë arritur kur partnerët transatlantikë kanë vepruar së bashku”, është shprehur Çitaku.
Duke folur për integrimin evropian, ajo ka shprehur keqardhje që, një dekadë pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova nuk ka shënuar përparimin e nevojshëm drejt anëtarësimit në BE. Sipas saj, nevojitet dialog i hapur me partnerët për të përcaktuar hapat e realizueshëm në këtë fazë dhe për të dëshmuar progres të vazhdueshëm.
“Kosova dhe rajoni duhet të paraqiten me sukseset dhe potencialin e tyre. Partnerët tanë duan të shohin përparim. Detyra jonë është ta bëjmë atë të prekshëm, ditë pas dite, për qytetarët dhe për aleatët tanë”, ka theksuar ajo.
Çitaku ka nënvizuar se përparimi ndërkombëtar kërkon edhe kohezion të brendshëm, dialog politik dhe përcaktim të qartë të prioriteteve shtetërore, duke ndërthurur synimet e larta me veprime realiste dhe konkrete.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, ajo ka theksuar se rruga e të dyja shteteve do të mbetet më e vështirë deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, me njohjen reciproke në qendër.
Çitaku ka riafirmuar se integrimi euroatlantik është qëllim kombëtar dhe çështje e sigurisë afatgjatë të Kosovës. Në këtë frymë, ajo ka theksuar rëndësinë e veçantë të anëtarësimit në NATO në rrethanat aktuale të sigurisë dhe ka vlerësuar kontributin e Ushtrisë së Kosovës në misionet ndërkombëtare.
“Historia e Kosovës në tri dekadat e fundit është e jashtëzakonshme. Nga një vend që kishte nevojë për ndërhyrjen ndërkombëtare për të mbijetuar, sot jemi një shtet që kontribuon për paqen dhe sigurinë në botë. Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka përfunduar Çitaku.



