Avokati i Popullit hap zyrë në veri, qytetarët e katër komunave mund të paraqesin ankesat
Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur të hënën zyrën e tij në Mitrovicë të Veriut, me qëllim të lehtësimit të qasjes së qytetarëve në këtë institucion dhe ofrimit të mbështetjes për të gjithë banorët e katër komunave veriore.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se ideja për hapjen e kësaj zyre ka ardhur si rezultat i kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët gjatë takimeve me përfaqësues të institucionit kanë shprehur shqetësimin për vështirësitë në qasjen te shërbimet e Avokatit të Popullit.
“Qëllimi i këtij takimi është me hapë dhe me promovua zyrën e Avokatit të Popullit në pjesën veriore të Kosovës. Qëllimi dhe ideja për me hapë këtë zyrë ka ardhur si rezultat i kërkesave të shumta të qytetarëve. Nga takimet, unë si Avokat i Popullit dhe zyrtarët e institucioneve, që kemi mbajtur me qytetarët në veri, ka dalë si kërkesë e tyre ideja me pasë një zyrë sa më afër qytetarëve. Në vazhdimësi kanë pasur shqetësime që qasja po iu vështirësohet për shkak të shumë problemeve. Bashkë me stafin e kemi mendu një ide, me marrë një zyrë në Mitrovicë të Veriut, e cila do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve”, ka thënë Qelaj.
Ai ka bërë me dije se zyra është e gatshme dhe do të jetë funksionale për pranimin e ankesave dhe mbajtjen e dyerve të hapura për qytetarët.
“Zyra është e gatshme dhe do të jetë funksionale, do të jetë e hapur edhe për pranimin e ankesave nga qytetarët edhe për mbajtjen e dyerve të hapura”, ka thënë ai.
Ndërsa drejtori i organizatës joqeveritare ACDC, Dushan Radakoviq, ka thënë se hapja e kësaj zyre është rezultat i një procesi të gjatë dhe angazhimit të disa organizatave joqeveritare që veprojnë në veri.
Ai ka vlerësuar se, ndonëse zyra që funksionon në komunë është funksionale, numri i madh i rasteve dhe kërkesave të qytetarëve e bën të nevojshme praninë e një zyre tjetër.
“Më vjen mirë që shoh kaq shumë miq dhe njerëz të mirë, të cilët sot jemi këtu me një qëllim të përbashkët: të luftojmë për një të ardhme më të mirë, për të drejtat e njeriut dhe për një jetë më të mirë për të gjithë ne që jetojmë këtu…..Ky ka qenë një proces i gjatë për të arritur këtë qëllim, jo vetëm për ACDC-në, por edhe për katër apo pesë organizata të tjera joqeveritare që funksionojnë së bashku me ne në veri. Kemi punuar që të kemi një zyrë të tillë, sepse zyra që funksionon në komunë, ndonëse është funksionale, përballet me një numër shumë të madh rastesh dhe kërkesash të vazhdueshme. Qytetarët u drejtohen për çështje të ndryshme Avokatit të Popullit, institucioneve përkatëse dhe organizatave tona joqeveritare. Prandaj, nevojitet një zyrë e tillë, jo vetëm për komunitetin serb, por për të gjitha komunitetet që jetojnë dhe veprojnë në veri”, ka thënë Radakoviq.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Institucionin e Avokatit të Popullit, duke vlerësuar mbështetjen që ky institucion u ka ofruar organizatave të shoqërisë civile.
Kurse zëvendësi i Avokatit të Popullit, Srdjan Sentiq, e ka cilësuar hapjen e zyrës si një ditë të rëndësishme për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në katër komunat veriore.
“Ajo që është shumë e rëndësishme të theksohet për pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht për të katër komunat në veri, është se sot kemi një ditë të madhe për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Fakti që ky është një nga institucionet që sot e ka hapur këtë zyrë dhe është i pranishëm për të gjitha organizatat joqeveritare të sektorit të huaj, mediat dhe, veçanërisht, për përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, dëshmon se ne kemi qenë gjithmonë pranë qytetarëve dhe mes tyre. Lufta për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike ka qenë gjithmonë në thelb të punës së institucionit dhe mandatit të tij”, ka thënë Sentiq.
Kjo zyrë është vlerësuar si e rëndësishme për banorët e zonës dhe tashmë është në shërbim të tyre.



