Kurti raporton për vizitat në Paris dhe Dublin: Zhvilluam mbi 30 takime me liderë ndërkombëtarë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka raportuar për vizitat zyrtare në Paris dhe Dublin, ku ka marrë pjesë në Forumin e Paqes dhe Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Kurti ka bërë të ditur se gjatë këtyre vizitave janë zhvilluar më shumë se 30 takime, pritje, bashkëbisedime dhe aktivitete të ndryshme, përfshirë tetë takime me presidentë dhe kryeministra, si dhe me sekretarët e përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit të Evropës.
Në Paris, kryeministri ka zhvilluar takim bilateral me presidentin francez, Emmanuel Macron, si dhe është pritur nga presidenti i Senatit, Gérard Larcher.
Ai ka takuar edhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire.
Ndërkaq, në Dublin, Kurti ka zhvilluar takime me kryeministrin irlandez, Micheál Martin, ministren e Jashtme, Helen McEntee, si dhe liderë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë kryeministrin britanik, Andy Burnham, kryeministrin kanadez, Mark Carney, dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Gjatë adresimit të tij, Kurti ka theksuar se në të gjitha takimet është riafirmuar përkushtimi i Kosovës ndaj të ardhmes euroatlantike.
Ai ka nënvizuar rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit evropian, duke kërkuar që Këshilli i BE-së të kërkojë mendim nga Komisioni Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 15 dhjetor 2022.
Po ashtu, Kurti ka ritheksuar se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik për Kosovën, ndërsa anëtarësimin në Këshillin e Evropës e ka vlerësuar të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.



