Kosova dhe ripërballja me krizën energjetike
Shkruan: Ethem Çeku
Ripërsëritja e krizave energjetike në Kosovë pasqyron dobësi strukturore dhe gabime të rënda në përcaktimin e prioriteteve investuese. Vonesat në rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese, mungesa e prodhimit të ri të qëndrueshëm dhe angazhimi i pamjaftueshëm për tërheqjen e kompanive të mëdha private kanë shtuar varësinë nga importi. Koston e këtyre vonesave e bartin qytetarët dhe bizneset përmes faturave, pasigurisë së furnizimit dhe shpenzimeve shtesë.
Deri në fund të vitit 2010, në Kosovë ishin nxjerrë rreth 300 milionë tonë linjit. Krahasuar me vlerësimin prej 14,7 miliardë tonësh të burimeve të përgjithshme, kjo sasi përfaqëson rreth 2,04%. Shfrytëzimi i linjitit për prodhimin e energjisë elektrike është mbështetur kryesisht në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. “Kosova A” u ndërtua me pesë blloqe, me gjithsej 800 MW kapacitet të instaluar; A1 dhe A2 nuk operojnë, ndërsa A3, A4 dhe A5 kanë së bashku 432 MW kapacitet neto. “Kosova B” ka dy blloqe me nga 339 MW, gjithsej 678 MW të instaluara dhe 528 MW neto. Pasuria në lëndë të parë nuk është shoqëruar me rinovimin e nevojshëm të bazës prodhuese.
Më 2025, kapaciteti operativ i përgjithshëm i gjenerimit ishte rreth 1.248,6 MW, ndërsa ngarkesa maksimale arriti në 1.624 MW. Disponueshmëria zvogëlohet gjatë defekteve dhe remonteve, duke e ekspozuar sistemin ndaj blerjeve pikërisht kur kërkesa dhe çmimet rajonale mund të jenë më të larta. Problemi nuk qëndron vetëm te kapaciteti i instaluar, por te aftësia për të siguruar prodhim të besueshëm gjatë orëve kritike.
Ky deficit bashkëjeton me potencial të konsiderueshëm për diversifikim. Kosova ka një potencial të vlerësuar prej 3.600 MW nga dielli dhe 1.781 MW nga era, ndërsa më 2024 kishte të instaluara 151,2 MW nga këto dy burime së bashku, rreth 2,8% të potencialit të kombinuar. Shfrytëzimi i tij kushtëzohet nga faktorë teknikë, territorialë dhe ekonomikë, por hendeku dëshmon hapësirën e madhe për investime.
Krahasimi rajonal e bën më të dukshëm ritmin e pamjaftueshëm. Ndërmjet fundit të vitit 2020 dhe fundit të vitit 2024, kapaciteti diellor u shtua me rreth 286 MW në Shqipëri, 210 MW në Serbi, 751 MW në Kroaci, 754 MW në Maqedoninë e Veriut, 939 MW në Slloveni, 2.808 MW në Bullgari, 3.305 MW në Rumani dhe 6.095 MW në Greqi. Këto shtesa tregojnë se politika të qëndrueshme dhe mobilizimi i kapitalit mund ta ndryshojnë ndjeshëm strukturën prodhuese brenda pak vjetësh.
Në Kosovë, politika investuese duhej të krijonte më herët kushte të besueshme për kapitalin privat: ankande konkurruese, procedura të parashikueshme, lidhje në rrjet dhe marrëveshje të financueshme. Angazhimi i pamjaftueshëm për tërheqjen e kompanive të mëdha energjetike përbën një mangësi serioze strategjike. Investimet në diell dhe erë duhet të bashkërendohen me bateritë, përforcimin e rrjetit dhe kapacitetet balancuese, që zgjerimi i prodhimit të përmirësojë edhe sigurinë e furnizimit.
Nga viti 2021 deri në shtator 2026, vlera bruto e importeve arriti në 1 miliard e 31 milionë euro, para zbritjes së eksporteve. Kjo shumë nuk përfaqëson vetëm shpenzime buxhetore, por tregon përmasën financiare të varësisë. Nëse financimi do të ishte mobilizuar në kohë për rehabilitim të thellë dhe ndërtimin e një njësie të re prej rreth 300 MW, Kosova mund të kishte sot një bilanc më të qëndrueshëm. Leverditshmëria do të varej nga teknologjia, financimi dhe kostot e operimit, por shtyrja e vendimeve ka gjithashtu një faturë të vazhdueshme.
Varësinë e rëndojnë edhe pengesat e Serbisë në alokimin tregtar të kapaciteteve ndërkufitare. Kufizimi i rrugëve të furnizimit dhe i konkurrencës e rrit rëndësinë strategjike të prodhimit vendor. Ndërkohë, bizneset përballojnë edhe shpenzime për gjeneratorë, ndërprerje prodhimi dhe humbje porosish, duke dobësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Dalja nga kjo gjendje kërkon një program me financim, afate dhe përgjegjësi publike: rehabilitim të koordinuar të njësive ekzistuese, përcaktim të së ardhmes së “Kosovës A”, përzgjedhje të kapaciteteve të reja dhe përshpejtim të investimeve private. Paralelisht duhen zhvilluar ruajtja e energjisë, rrjeti dhe efiçienca, ndërsa gazi mund të shqyrtohet si mundësi diversifikimi. Konsensusi politik duhet të garantojë vazhdimësinë e investimeve, sepse çdo vonesë tjetër e zhvendos faturën e mosveprimit te qytetarët dhe ekonomia.



