Haga nuk mund ta gjykojë historinë, pa u përballur edhe me përgjegjësinë e vet
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti, ka thënë se procesi i dytë ndaj Thaçit duket se synon të shërbejë si mburojë e legjitimitetit publik për procesin e parë dhe dënimin e tij e padrejtë.
“Gjithçka është edhe më shqetësuese kur mungon një llogaridhënie po aq serioze për përgjegjësinë e vetë ndërkombëtarëve. Për vite me radhë, mbrojtja e dëshmitarëve ishte përgjegjësi e mekanizmave ndërkombëtarë, në Kosovë dhe jashtë saj. Nëse këto mekanizma dështuan, kush përgjigjet për dështimin? Kush i verifikoi motivet politike, interesat personale dhe besueshmërinë e dëshmive në një kontekst historik e shoqëror që shpesh nuk u kuptua sa duhet?”, ka shkruar Ismaili-Ahmeti.
Ajo ka thënë se drejtësia nuk mund ta përdorë autoritetin e vet për ta zëvendësuar llogaridhënien.
“Prandaj, pyetja që me të drejtë ngritët sot është çfarë përgjegjësie ka drejtësia ndërkombëtare për mënyrën si i administroi këto procese dhe për dështimet që mund t’i ketë prodhuar vetë. Haga nuk mund ta gjykojë historinë, pa u përballur me përgjegjësinë e vet Hashim Thaçi nuk mund të shkëputet nga roli i tij historik si çlirimtar dhe shtetformues i Kosovës. Këtë rol nuk mund ta zhbëjë asnjë verdikt i Hagës. Së këndejmi, Haga nuk mund ta gjykojë historinë tonë, pa u përballur edhe me përgjegjësinë e vet!”, ka shkruar Ismaili-Ahmeti.



