Çfarë po ndodh në Evropë? SHBA-ja lëshon paralajmërime sigurie në 11 shtete evropiane, përfshihet edhe Kosova

18 nëntor 2026 | 14:44

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vende të ndryshme të Evropës kanë lëshuar paralajmërime të koordinuara të sigurisë, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të qëndrojnë vigjilentë në tregjet e festave, festivale, qendra të transportit dhe vende të tjera publike ku grumbullohen shumë njerëz.

Sipas raportimeve, njoftime me përmbajtje të njëjtë janë publikuar nga të paktën 11 misione diplomatike amerikane, përfshirë ato në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, Berlin të Gjermanisë, Madrid të Spanjës, Dublin të Irlandës, Lisbonë të Portugalisë dhe Sofje të Bullgarisë.

Shumica e paralajmërimeve janë publikuar më 16 nëntor, ndërsa misionet diplomatike në Lituani, Ukrainë dhe Rusi i kishin publikuar njoftimet më 13 nëntor. Paralajmërimet përmbajnë udhëzime pothuajse identike dhe nuk bëjnë fjalë për ndonjë plan konkret terrorist të konfirmuar apo për ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj një qyteti të caktuar.

Këto paralajmërime vijnë në një kohë të shqetësimeve të shtuara globale për sigurinë, teksa Shtetet e Bashkuara janë të përfshira në konflikte dhe përpjekje diplomatike në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon, ndërsa Uashingtoni po shtyn përpara negociatat që synojnë përfundimin e konfliktit. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja mbetet e përfshirë në një konflikt të vazhdueshëm me Iranin, i cili ka ngritur shqetësime për përshkallëzim të mëtejshëm përtej Lindjes së Mesme.

Së fundmi, Irani ka kërcënuar bazat ushtarake amerikane në Evropë, në rast se ato përdoren për sulme të ardhshme kundër këtij vendi.

Çka thuhet në paralajmërimin e publikuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë?

Ambasada Amerikane në Prishtinë e publikoi të hënën paralajmërimin, ku qytetarët amerikanë këshillohen të qëndrojnë vigjilentë ndaj asaj që ndodh në rrethinën e tyre dhe të tregojnë kujdes për sigurinë personale dhe situatën përreth.

“Grumbullimet e mëdha të njerëzve dhe ngjarjet publike mund të paraqesin objektiv të mundshëm për grupet terroriste dhe kriminelët. Terroristët, përfshirë edhe individët që veprojnë të vetëm, mund të kryejnë sulme me pak ose aspak paralajmërim, duke shënjestruar lokacione turistike si tregjet, qendrat e transportit, qendrat tregtare, objektet e kultit dhe hapësira të tjera publike”, thuhet në njoftim.

Qytetarët amerikanë këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë festivaleve dhe ngjarjeve të organizuara për festat, si dhe në lokacione të tjera ku ka grumbullime të mëdha njerëzish.

Aty përmendet se në nëntor, kërcënimet e rreme me bomba kanë shënjestruar aviacionin civil në disa vende evropiane, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve.

Masat që rekomandohen:

• Të qëndrojnë vigjilentë.

• Të shmangin demonstratat dhe zonat ku ka prani të konsiderueshme të policisë.

• Të jenë të vetëdijshëm për atë që ndodh në rrethinën e tyre.

• Të shmangin tërheqjen e vëmendjes dhe të mbajnë profil të ulët.

• T’i ruajnë me kujdes sendet me vlerë në çanta ose në trup, kur ndodhen në hapësira publike.

• Të kontaktojnë kompaninë ajrore për të parë nëse ka ndërprerje apo ndryshime në planet e udhëtimit.

• Nëse ndodhen në një lokacion që evakuohet ose në një fluturim që devijohet drejt një destinacioni tjetër, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale ose të personelit përgjegjës.

• T’i njoftojnë familjarët, miqtë dhe personat e tjerë të besuar për planet e udhëtimit dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me ta.

• Të përcjellin lajmet lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve.

• Të regjistrohen në programin Smart Traveler Enrollment Program (STEP) për të marrë përditësime mbi sigurinë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Qytetarë kanë filluar të mblidhen pranë shtëpisë së ish-kryetarit të…