Kurti pyetet për aktgjykimin e djeshëm të Speciales, ky është reagimi i tij
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka komentuar aktgjykimin e shqiptuar të martën nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve të tjerë në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.
I pyetur nga gazetarët për vendimin e gjykatës, Kurti ka hezituar të deklarohet, duke mos dhënë ndonjë qëndrim.
Të martën, Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe e ka dënuar me një vit e pesë muaj burgim për disa pika të aktakuzës në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.
Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Christopher Gosnell, në seancën e mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në këtë proces gjyqësor, krahas Thaçit, janë akuzuar edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, i cili është dënuar me 12 muaj burgim; ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, i cili është shpallur i pafajshëm; Fadil Fazliu, i dënuar me 12 muaj burgim; si dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i dënuar me një muaj burgim.



