Al-Ittihad po përgatit një ofertë të re për Zhegrovën
Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi klubi saudit Al-Ittihad raportohet se e ka rinisur interesimin për transferimin e futbollistit të Kosovës.
Skuadra nga Liga Profesionale Saudite e ka përcjellë Zhegrovën që nga fundi i sezonit të kaluar, ndërsa gjatë afatit kalimtar të verës kishte tentuar ta bindte që t’i bashkohej ekipit, transmeton “Yahoo”, duke iu referuar një raportimi të “JuveFC”.
Në atë kohë, Zhegrova ishte i gatshëm të transferohej në Arabinë Saudite, por interesimi i Al-Ittihadit më pas u zbeh. Kështu, futbollisti kosovar mbeti në Torino, pavarësisht se Juventusi ishte i gatshëm ta shiste.
Megjithatë, situata e tij te skuadra italiane ka ndryshuar disi, pasi në muajt e fundit ka treguar paraqitje inkurajuese, veçanërisht kur është aktivizuar nga banka rezervë.
Zhegrova ka dëshmuar se mund të ndikojë në rrjedhën e ndeshjeve kur inkuadrohet gjatë lojës, por paraqitjet e tij nuk kanë qenë po aq bindëse kur i ka nisur takimet nga minuta e parë.
Juventusi kërkon futbollistë ofensivë që mund të ofrojnë vazhdimësi dhe ndikim që nga fillimi i ndeshjeve. Deri më tani, Zhegrova nuk ka arritur të dëshmojë se mund ta bëjë këtë në mënyrë të rregullt, çka mund të jetë një nga arsyet pse klubi nuk e përjashton largimin e tij.
Sipas mediumit italian “Tuttojuve”, Al-Ittihad e ka rikthyer interesimin për reprezentuesin e Kosovës dhe është serioz për ta realizuar transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
Ky zhvillim shihet si lajm i mirë për Juventusin, i cili synon ta shesë Zhegrovën dhe paratë e përfituara nga transferimi t’i përdorë për përforcimin e repartit ofensiv.
Largimi i tij do t’i krijonte gjithashtu hapësirë skuadrës italiane për të sjellë një tjetër futbollist.
Në anën tjetër, për futbollistin kosovar, interesimi i klubit saudit mund të përfaqësojë një mundësi të re për ta rifilluar karrierën, pasi nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt në formacionin bazë të Juventusit.



