Aktakuzë ndaj një gruaje për mashtrim prej 320 mijë eurosh në shitblerjen e pronave në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, përmes përdorimit të autorizimeve të falsifikuara për shitjen e pronave në Kosovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se kishte përdorur një autorizim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga xhaxhai i saj, për të shitur pronat e tij që ndodheshin në Kosovë.
Në bazë të aktakuzës, më 13 nëntor 2024, ajo dyshohet se kishte përdorur dokumentacionin e falsifikuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me qëllim që të ndikonte në vendimmarrjen për njohjen e së drejtës së pronësisë mbi disa parcela në zonën kadastrale Petroviç të Komunës së Shtimes.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre dokumenteve, gjykata kishte njohur të drejtën e pronësisë për një person tjetër.
Po ashtu, e pandehura akuzohet se gjatë vitit 2016 kishte mashtruar një blerës, duke ia fshehur faktin se nuk kishte autorizim të vlefshëm për shitjen e pronës. Pagesat përmes bankës ishin bërë në emër të saj, ndërsa dëmi i shkaktuar në këtë rast, sipas Prokurorisë, arrin në 200 mijë euro.
Një rast tjetër i ngjashëm dyshohet se kishte ndodhur gjatë vitit 2018, kur e pandehura kishte lidhur një parakontratë për shitblerjen e pronës me vlerë prej 170 mijë eurosh. Sipas aktakuzës, përmes përdorimit të autorizimit të falsifikuar, ajo kishte arritur që blerësit t’i njihej e drejta e pronësisë, duke i shkaktuar atij dëm pasuror prej 120 mijë eurosh.
Prokuroria e ngarkon të pandehurën me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ta shpallë të pandehurën fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit.



