Sveçla: Kosova në mesin e pesë vendeve të para në Evropë për rend dhe ligj
Kosova renditet ndër pesë vendet e para në Evropë dhe në vendin e 14-të në nivel global në Indeksin e Ligjit dhe Rendit për vitin 2025, të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Gallup.
Sipas këtij raporti, Kosova ka marrë gjithsej 90 pikë në perceptimin e sigurisë dhe besimit në rendin dhe ligjin, duke tejkaluar edhe mesataren botërore.
Për këtë vlerësim ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se ky rezultat vjen si rrjedhojë e punës profesionale dhe të koordinuar të institucioneve të sigurisë, si dhe përkushtimit të vazhdueshëm të zyrtarëve të tyre.
Sveçla ka theksuar se garantimi i sigurisë së qytetarëve mbetet prioritet, duke shtuar se Kosova përmes këtij angazhimi kontribuon në forcimin e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe Evropë.
Ai ka falënderuar zyrtarët e institucioneve të sigurisë për punën e tyre dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për të gjithë qytetarët.



