Punëtorët e KEK-ut pezullojnë përkohësisht protestën për rritjen e pagave

19 nëntor 2026 | 11:34

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë pezulluar përkohësisht protestën e paralajmëruar për rritjen dhe nivelizimin e pagave, përfshirë edhe pagën e 13-të.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka bërë me dije se vendimi për pezullimin e protestës është marrë pas takimeve me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut, ku është shprehur gatishmëria për shqyrtimin e kërkesave të punëtorëve.

“Siç e dini, deri më sot kemi paralajmëruar një protestë paqësore për dy kërkesa: ngritjen e pagave dhe nivelizimin e tyre, së bashku me pagën e 13-të. Gjatë javës që shkoi ka pasur disa zhvillime, ku kemi pasur ftesë nga menaxhmenti dhe bordi i KEK-ut për takim. Kemi zhvilluar takime të përbashkëta për shqyrtimin e kërkesave të sindikatës, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje. Menaxhmenti dhe bordi kanë shprehur vullnet dhe gatishmëri për t’i shqyrtuar kërkesat. Kështu që, me mirëkuptimin e të dyja palëve, edhe sot kemi pasur takime në të tri divizionet – në divizionin e prodhimit të qymyrit, në Termocentralin ‘Kosova A’ dhe në Termocentralin ‘Kosova B’ – me të gjithë punëtorët dhe kemi marrë konfirmimin për pezullimin e përkohshëm të protestës, derisa të shqyrtohen kërkesat në tërësi”.

“Në momentin që do të ketë rezultate të kënaqshme për punëtorët, ne do t’i njoftojmë jo vetëm punëtorët, por edhe juve. Për momentin jemi në bisedime dhe pritet që ato të vazhdojnë”, ka thënë Jashari.

Ai ka paralajmëruar se, në rast se nuk arrihet një zgjidhje dhe nuk ka rezultate konkrete, protesta mbetet opsion.

“Vetë fakti që kemi thënë se e kemi pezulluar përkohësisht protestën tregon se kemi një afat të kufizuar për rezultate, në mënyrë që t’i japim hapësirë dialogut. Në momentin kur nuk ka dialog, kur shterohen mundësitë e shqyrtimit të kërkesave dhe nuk ka rezultate, pa diskutim se ne e kemi opsionin e protestës”, ka thënë Jashari.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në…