Nagavci për vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë: Pamje të dhimbshme, votimi për Specialen ishte gabim

19 nëntor 2026 | 13:09

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka komentuar vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë, pas gjashtë vjetësh, duke e cilësuar të dhimbshme situatën në të cilën ai është rikthyer për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Nagavci ka thënë se vitet e humbura dhe momentet familjare nuk mund të rikthehen, ndërsa ka theksuar se kjo situatë duhet të shërbejë si kujtesë për pasojat që mund të kenë vendimet politike në jetën e qytetarëve.

“Ato pamje duhet të na kujtojnë edhe diçka tjetër, se vendimet politike nuk mbeten në dokumente, por dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo ka vlerësuar se Jakup Krasniqi është një figurë e rëndësishme e historisë së Kosovës, duke rikujtuar rolin e tij në periudha të rëndësishme të shtetformimit.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Nagavci ka kritikuar votimin e vitit 2015 për themelimin e saj, duke e cilësuar atë si gabim dhe duke thënë se pasojat e këtij vendimi po shihen edhe sot.

“Votimi për themelimin e saj ishte gabim, pasojat e të cilit po i shohim edhe sot”, ka thënë ajo.

Në fund, Nagavci ka theksuar se nga kjo përvojë duhet të nxirren mësime për mënyrën se si deputetët i ushtrojnë përgjegjësitë dhe detyrat e tyre parlamentare.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Është shtyrë deri në një njoftim të ardhshëm seanca e…