Shtyhet rishqyrtimi i Ligjit për Specialen, Kuvendi vazhdon me seancën e rregullt
Është shtyrë deri në një njoftim të ardhshëm seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën ishte paraparë rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Këtë e ka bërë me dije nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili ka thënë se vendimi për shtyrje është marrë pas diskutimeve me grupet parlamentare.
“Pas diskutimeve me grupet parlamentare, konsideruam që seanca e cila është thirrur me tri pika për vazhdim sot në orën 10:00, të shtyhet deri në njoftimin e ardhshëm”, ka thënë ai.
Gola ka bërë me dije se Kuvendi do t’i vazhdojë punimet me seancën e rregullt.
Në seancën e shtyrë, përveç rishqyrtimit të Ligjit për Specialen, ishte paraparë edhe votimi i dy propozim-rezolutave: njëra për mungesën e barnave onkologjike dhe tjetra për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.



