Deliu: Suspendimi i katër farmacistëve nuk e zgjidh problemin e mungesës së barnave në Kosovë

19 nëntor 2026 | 13:48

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kritikuar suspendimin e katër farmacistëve një ditë pas interpelancës për mungesën e barnave, duke thënë se përgjegjësia për furnizimin nuk përfundon te farmacistët, por lidhet me planifikimin, prokurimin dhe menaxhimin e barnave.

Në seancën e Kuvendit, Deliu ka thënë se rasti i pacientes që është raportuar se kishte vdekur si pasojë e mungesës së barnave nuk duhet të trajtohet si rast i izoluar, pasi, sipas saj, shumë pacientë detyrohen t’i blejnë vetë terapitë që duhet t’ua sigurojë shteti.

“Ky nuk është vetëm një rast i izoluar dhe nuk mund të mbetet vetëm një rast i izoluar. Është numri i madh i pacientëve të cilët për çdo ditë detyrohen të bien nga xhepat e tyre barna të cilat do të duhej t’ua siguronte shteti. Janë pacientë të cilët përballen me sëmundje të rënda, familje që detyrohen të kërkojnë barna jashtë vendit dhe njerëz që, përveç shqetësimit për shëndetin, duhet të mendojnë edhe se ku t’i gjejnë paratë për trajtim”, ka thënë ajo.

Deliu ka theksuar se suspendimi i katër farmacistëve nuk e zgjidh problemin e furnizimit me barna dhe ka kërkuar që përgjegjësia të trajtohet në mënyrë më të gjerë.

“Të nderuar deputetë, një ditë pas interpelancës, 4 farmacistë janë suspenduar nga puna. Unë nuk dua të paragjykoj përgjegjësinë e askujt. Nëse ka pasur shkelje, natyrisht se ato duhet hetuar. Por a mendon dikush seriozisht se me suspendimin e 4 farmacistëve zgjidhet problemi i mungesës së barnave në Kosovë? A do të thotë kjo se prej nesër pacientët nuk do të detyrohen t’i blejnë vetë terapitë e tyre? A do të thotë kjo se barnat esenciale do të jenë në dispozicion të pacientëve në çdo kohë? Sigurisht që jo. Sepse problemi i furnizimit nuk fillon e as nuk përfundon te farmacisti që e jep barin. Problemi lidhet me planifikimin, me prokurimin, me furnizimin dhe me menaxhimin e barnave”, ka thënë ajo. /EO

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën…