Kurti kërkon ligj të ri për Specialen: Grupi Punues ta sjellë draftin javën e ardhshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hartimin e një draftligji të ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se ai pritet të jetë i gatshëm javën e ardhshme.
Duke folur për rishqyrtimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kurti ka thënë se iniciuesit e ligjit paraprak kishin pasur qëllime të mira, por se ai nuk mjafton për të arritur rezultate konkrete.
“Na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj që ka efekt në praktikë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë me dije se javën e ardhshme pritet të prezantohet edhe drafti i parë i Strategjisë nga Grupi Punues, ku janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike, me ndihmën e ekspertëve juridikë.
Kurti ka folur edhe për qëndrimin e tij ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se ai nuk ka ndryshuar që nga pranvera e vitit 2015.
Ai e ka cilësuar këtë gjykatë si të pazakonshme, duke pretenduar se herë sillet si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar, ndërsa e ka quajtur monoetnike dhe me mungesë transparence.
Kryeministri është ndalur edhe te aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
Ai ka thënë se në procedurën e apelit duhet të trajtohet edhe çështja e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, për të cilën ka pretenduar se krijon një strukturë paralele me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
“Ne jemi të bindur që korrigjimi i aktgjykimit të 16 shtatorit duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në shkallën e dytë, në apel. Dhe kjo do të jetë diku në vitin 2027”, është shprehur Kurti.
Ai ka shtuar se pakënaqësia me aktgjykimin kishte nxitur edhe hartimin e shpejtë të ligjit paraprak, për të cilin, siç ka thënë, kishte shprehur rezerva.



