Drejtori i Përgjithshëm i KF Liria, Arben Ahmeti: Nuk po luftojmë vetëm për rezultate, po ndërtojmë histori

19 nëntor 2026 | 18:17

Drejtori i Përgjithshëm i KF Liria, Arben Ahmeti, ka bërë thirrje për mbështetje masive të skuadrës në ndeshjen e së dielës, e cila pritet të jetë historike për Prizrenin. Ai thekson se puna dhe përkushtimi i muajve të fundit kanë krijuar themele të forta për një të ardhme edhe më të suksesshme të klubit.

Prej disa muajsh, jam angazhuar me përkushtim dhe përgjegjësi në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të KF Liria. Këtë angazhim nuk e kam parë thjesht si një detyrë apo pozitë, por si një përgjegjësi ndaj një klubi që përfaqëson historinë, identitetin dhe krenarinë e qytetit tonë.

Gjatë kësaj periudhe, së bashku me Agonin, Fatin, axhën Zenel, Valonin dhe Ismetin, kemi arritur të ndërtojmë shumë më tepër sesa një ekip futbolli. Kemi krijuar një ambient kredibil, një atmosferë të mirë pune, besim të ndërsjellë dhe, mbi të gjitha, kemi arritur rezultate fantastike.

Kjo është dëshmi se kur ekzistojnë vullneti, përkushtimi, puna dhe dashuria për klubin, rezultatet nuk mungojnë.

Por tani kemi një arsye edhe më të veçantë për t’u bërë bashkë.

Kjo e diel do të shënojë një moment historik për Prizrenin. Për herë të parë në historinë e qytetit, një ndeshje futbolli do të zhvillohet në orët e mbrëmjes, nën dritën e reflektorëve të stadiumit.

Kjo mbrëmje e veçantë mund të kurorëzohet edhe me një tjetër sukses të madh: shpalljen e KF Liria kampion vjeshtor.

Prandaj, ftesa ime është e sinqertë dhe vjen nga zemra: të dielën, në orën 17:00, ju presim sa më shumë në stadiumin e qytetit!

Ejani të dëshmojmë dashurinë për Prizrenin, për ngjyrat tona dhe për klubin që na bashkon të gjithëve. Ejani t’u japim futbollistëve tanë mbështetjen që meritojnë dhe ta shndërrojmë këtë mbrëmje në një festë të paharrueshme.

Ne nuk po luftojmë vetëm për rezultate. Ne po ndërtojmë histori!

Po hedhim themelet e një klubi që synon shumë më lart dhe që në të ardhmen do të jetë krenaria jo vetëm e Prizrenit, por e gjithë futbollit të Kosovës dhe rajonit.

Liria është më shumë se një klub. Është histori, emocion, identitet dhe dashuria e një qyteti të tërë.

Të dielën, ora 17:00, në stadiumin e qytetit!

Bashkë për Lirinë. Bashkë për Prizrenin!

Forca Liria!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
‘‘E pamundur’’, aeroplani nga Katari realizon ulje ‘dramatike’ në një…