FSK-ja, Policia, KFOR-i dhe EULEX-i në një ushtrim të përbashkët: ‘Golden Sabre’ sjell demonstrime praktike në Vrellë
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në ushtrimin fushor “Golden Sabre”, të organizuar nga misioni i KFOR-it, ku janë përfshirë institucionet e sigurisë në Kosovë: KFOR-i, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
Ushtrimi synon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, avancimin e ndërveprueshmërisë dhe ngritjen e gatishmërisë për reagim të përbashkët ndaj situatave të ndryshme të sigurisë.
“Në ditën e sotme, institucionet pjesëmarrëse të sigurisë e përmbyllën ushtrimin me demonstrime praktike në Kampin e Vrellës, ku u prezantuan aftësitë operacionale, procedurat e reagimit dhe koordinimi ndërmjet institucioneve në skenarë të ndryshëm të situatave emergjente dhe të sigurisë. FSK-ja dëshmon përkushtimin për bashkëpunim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë, duke kontribuar në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët”, është thënë në njoftim.











