KOSOVA NUK ËSHTË KRIME – E DREJTA NDËRKOMBËTARE NUK PRANON BARAZIME ARTIFICIALE

21 nëntor 2026 | 11:54
Rusia nuk mund ta justifikojë aneksimin e territorit ukrainas me rastin e Kosovës, ndërsa Ukraina duhet ta kapërcejë rezervën politike dhe ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Çështja e Krimesë dhe çështja e Kosovës janë dy realitete krejtësisht të ndryshme historike, politike dhe juridike. Çdo përpjekje për t’i barazuar ato, për të ndërtuar paralele artificiale ose për t’i përdorur si argumente të ndërsjella politike, përbën keqinterpretim të së drejtës ndërkombëtare dhe të rrethanave historike në të cilat kanë lindur këto dy çështje.

Qëndrimi duhet të jetë i qartë: Krimea është pjesë e Ukrainës dhe aneksimi i saj nga Federata Ruse nuk mund të legjitimohet. Kosova, ndërkaq, është Republikë e pavarur dhe sovrane, e krijuar si rezultat i rrethanave të saj të veçanta historike, politike dhe juridike.

Këto dy çështje nuk kanë të njëjtën bazë juridike dhe as të njëjtin zhvillim historik. Prandaj, nuk mund të trajtohen si raste identike në të drejtën ndërkombëtare.

Krimea dhe Kosova: dy histori, dy realitete juridike

Krimea është territor i Ukrainës, sovraniteti dhe integriteti territorial i së cilës njihen ndërkombëtarisht. Në vitin 2014, Federata Ruse ndërhyri ushtarakisht në Krime, organizoi një referendum të kundërshtuar nga autoritetet ukrainase dhe më pas e aneksoi territorin. Ky veprim u kundërshtua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 68/262, të 27 marsit 2014, e cila riafirmoi sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Referendumi i organizuar në Krime nuk u konsiderua bazë e vlefshme për ndryshimin e statusit të këtij territori. Komuniteti ndërkombëtar u bëri thirrje shteteve të mos e njohin ndryshimin e statusit të Krimesë dhe Sevastopolit mbi këtë bazë.

Rasti i Kosovës është krejt tjetër.

Kosova nuk është rezultat i ndonjë aneksimi territorial nga një shtet tjetër. Ajo ka kaluar nëpër një histori të gjatë represioni institucional, shkeljesh sistematike të të drejtave të njeriut, diskriminimi, dhune shtetërore dhe konflikti të armatosur. Populli i Kosovës përjetoi një proces të rëndë historik, i cili përfundimisht çoi në ndërhyrjen ndërkombëtare të vitit 1999, administrimin ndërkombëtar dhe procesin politik për përcaktimin e statusit përfundimtar.

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Që atëherë, ajo është njohur nga një numër i konsiderueshëm shtetesh dhe ka ndërtuar institucionet e veta shtetërore, marrëdhëniet diplomatike dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Pra, dallimi është thelbësor: në Krime kemi të bëjmë me aneksimin e territorit të një shteti sovran përmes përdorimit të forcës, ndërsa në Kosovë kemi një proces historik dhe politik të veçantë që përfundoi me shpalljen e pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare nga shumë shtete.

E drejta ndërkombëtare nuk lejon manipulimin me rastin e Kosovës

Një ndër argumentet më të rëndësishme juridike është mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i datës 22 korrik 2010.

Gjykata konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës, e 17 shkurtit 2008, nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky konstatim përbën një pikë referimi të rëndësishme juridike në debatin ndërkombëtar për Kosovën.

Megjithatë, duhet të theksohet se Gjykata nuk vendosi një të drejtë të përgjithshme për shkëputje dhe as nuk urdhëroi shtetet ta njohin Kosovën. Ajo iu përgjigj pyetjes konkrete nëse deklarata e pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Pikërisht këtu qëndron rëndësia e trajtimit të Kosovës si rast me specifikë të veçantë historike dhe juridike.

Rusia është përpjekur vazhdimisht ta përdorë Kosovën si argument politik për të arsyetuar veprimet e saj në territore të tjera. Ky pretendim nuk qëndron juridikisht. Asnjë shtet nuk mund ta përdorë një rast ndërkombëtar si autorizim për të pushtuar ose aneksuar territorin e një shteti tjetër.

Kosova nuk mund të shërbejë si alibi për agresionin rus, sikurse agresioni rus nuk mund të përdoret për të relativizuar pavarësinë e Kosovës.

Ukraina duhet të bëjë dallimin ndërmjet solidaritetit dhe përgjegjësisë diplomatike

Është e kuptueshme që Ukraina, duke u përballur me agresionin rus dhe duke mbrojtur sovranitetin e saj, i kushton rëndësi të veçantë parimit të integritetit territorial.

Por ky parim nuk duhet të shndërrohet në një argument të përgjithshëm për refuzimin e realiteteve të veçanta historike dhe juridike të vendeve të tjera.

Ukraina duhet ta kuptojë se Kosova nuk është Krime dhe se rasti i Kosovës nuk mund të trajtohet përmes të njëjtës formulë juridike dhe politike.

Është paradoksale që Kosova, e cila ka përjetuar dhunë, represion dhe shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare, ka shprehur mbështetje të vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa Kievi ende nuk e ka njohur pavarësinë e saj.

Kosova ka dënuar agresionin rus, ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës dhe është rreshtuar me partnerët perëndimorë në mbrojtje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Kjo mbështetje nuk duhet parë si një veprim i përkohshëm politik, por si shprehje e një parimi që buron nga vetë përvoja historike e Kosovës.

Prandaj, Ukraina duhet të bëjë një rishqyrtim serioz të qëndrimit të saj diplomatik ndaj Republikës së Kosovës.

Njohja e Kosovës nga Ukraina është domosdoshmëri politike dhe diplomatike

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, më 8 gusht 2026, deklaroi në Beograd se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.

Kjo deklaratë është veçanërisht domethënëse, sepse u bë në kryeqytetin e Serbisë, një shtet që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe që mban marrëdhënie të afërta politike me Federatën Ruse.

Ukraina duhet të kuptojë se respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial nuk mund të jetë parim që zbatohet vetëm kur përputhet me interesat e drejtpërdrejta politike të një shteti.

Njohja e Kosovës nuk do të ishte vetëm një akt miqësie ndaj popullit të saj. Do të ishte edhe një vendim diplomatik në përputhje me nevojën për të dalluar qartë aneksimin territorial nga rrethanat e veçanta të krijimit të shtetit të Kosovës.

Për më tepër, vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Prishtinës dhe Kievit do të krijonte mundësi të reja për bashkëpunim politik, ekonomik, arsimor, kulturor dhe të sigurisë.

Kosova dhe Ukraina kanë interesa të përbashkëta në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar, në forcimin e institucioneve demokratike dhe në orientimin e tyre euroatlantik.

Prandaj, njohja duhet të jetë një hap i natyrshëm drejt ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet dy shteteve.

Serbia nuk mund të jetë kriteri përcaktues i politikës së jashtme ukrainase ndaj Kosovës

Një çështje tjetër që meriton vëmendje është fakti se Ukraina duhet ta përcaktojë politikën e saj të jashtme mbi bazën e interesave të veta strategjike dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, e jo duke u kushtëzuar nga qëndrimet politike të Beogradit.

Serbia  po e mbanë qëndrimin e saj politik për Kosovën, por ky qëndrim nuk mund të bëhet pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës me shtetet e tjera.

Kosova është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka të drejtë të kërkojë njohje, bashkëpunim dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me çdo shtet që është i gatshëm ta njohë.

Ukraina, si shtet që kërkon mbështetjen e pakompromis të komunitetit ndërkombëtar për sovranitetin dhe integritetin e vet territorial, duhet të tregojë mirëkuptim edhe për realitetin shtetëror të Kosovës.

Kjo nuk nënkupton barazimin e dy rasteve, por pikërisht respektimin e dallimeve të tyre.

Një qëndrim i qartë për të ardhmen

Është koha që Ukraina ta kapërcejë këtë rezervë diplomatike dhe ta shqyrtojë çështjen e Kosovës pa ndikimin e kalkulimeve politike rajonale.

Republika e Kosovës nuk kërkon privilegj dhe as trajtim të veçantë. Ajo kërkon respektimin e realitetit të saj shtetëror, të historisë së saj dhe të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së saj nga agresioni rus.

Kjo është një çështje parimore, jo thjesht një çështje e reciprocitetit politik.

Krimea është Ukrainë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Këto dy të vërteta nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe nuk mund të vendosen në të njëjtin rrafsh juridik.

As Rusia nuk mund ta përdorë Kosovën për të justifikuar aneksimin e Krimesë, as Ukraina nuk duhet ta përdorë çështjen e integritetit territorial si arsye për ta refuzuar realitetin e veçantë historik dhe juridik të Kosovës.

Rendi ndërkombëtar nuk mund të mbrohet me standarde të dyfishta. Ai duhet të mbështetet në parime, në të drejtën ndërkombëtare dhe në respektimin e realiteteve juridike.

Ukraina duhet ta njohë Republikën e Kosovës dhe të vendosë marrëdhënie të plota diplomatike me të. Ky do të ishte një hap në interes të dy popujve, i cili do ta forconte miqësinë dhe do të dëshmonte se solidariteti ndërkombëtar duhet të shoqërohet edhe me vendime konkrete politike.

Kosova nuk është precedent për aneksim. Kosova është një realitet shtetëror që kërkon respekt ndërkombëtar.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Policia norvegjeze është duke hetuar një rrjet të madh mashtrimi…