Falsifikuan mbi 2 mijë vota në Gjakovë, dënohen me nga 3 mijë euro gjobë

24 nëntor 2026 | 16:59

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar dy persona për falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Departamenti i Krimeve të Rënda i ka shpallur fajtorë të pandehurit A.M. dhe D.K., duke i dënuar me nga 3 mijë euro gjobë për keqpërdorimin e gjithsej 2,023 votave të kandidatëve për deputetë.

Aktgjykimi është shpallur pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë ndërmjet Prokurorisë dhe të pandehurve, të cilën e ka miratuar gjyqtari Samedin Cena.

Sipas njoftimit të gjykatës, dënimi prej gjashtë muajsh burgim është zëvendësuar me gjobë, ndërsa të dënuarit obligohen ta paguajnë atë brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, A.M., nga 29 dhjetori 2025 deri më 1 janar 2026, në Qendrën Komunale të Numërimit, në palestrën e sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë, në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave, kishte manipuluar rezultatet në nëntë komisione.

Ai u kishte shtuar kandidatëve për deputetë 428 vota dhe u kishte hequr 682 të tjera, duke keqpërdorur gjithsej 1,110 vota.

Ndërkaq, D.K., në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, kishte manipuluar rezultatet në gjashtë komisione, duke u shtuar kandidatëve 422 vota dhe duke u hequr 491 të tjera, përkatësisht duke keqpërdorur gjithsej 913 vota.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtruesja e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë,…