Rrënimet në Ujman, Prattipati i shkon në zyrë Fitore Pacollit, ambasada jep detajet e takimit

25 nëntor 2026 | 16:31

E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, ka takuar sot ministren e Mjedisit, Fitore Pacolli, për të diskutuar “mbi qeverisjen mjedisore dhe stabilitetin rajonal”.

Për këtë takim ka njoftuar Ambasada Amerikane në Kosovë.

“Ato diskutuan rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit, duke garantuar njëkohësisht respektimin e procedurave të rregullta ligjore dhe të drejtave pronësore për të gjitha komunitetet”, ka njoftuar Ambasada e ShBA-së në Kosovë

Takimi mes tyre vjen pas reagimit të ambasadës lidhur me rrënimin e disa shtëpive të ndërtuara në zonën e Liqenit të Ujmanit.

Ambasada ka thënë se zbatimi selektiv i rregulloreve ose shpërfillja e procesit ligjor nuk kontribuon në stabilitet.

“Zbatimi selektiv i rregulloreve ose shpërfillja e procesit të rregullt ligjor nuk kontribuon në stabilitet. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër zhvillimet dhe do t’u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë në mënyrë transparente dhe të drejtë”, ka thënë Ambasada e ShBA-së në Prishtinë për “Kosova Online”.

Ditë më parë, Pacolli kishte publikuar një video gjatë rrënimit të një shtëpie përreth Ujmanit, duke bërë të ditur se Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit, prej të cilave katër veranda dhe dy shtëpi.

Sipas saj, rrënime kanë ndodhur edhe në Liqenin e Radoniqit, ndërsa ka thënë se në plan janë edhe Liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit.

Kjo çështje është trajtuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026, i cili ka vënë në pikëpyetje kompetencat e Policisë për t’u asistuar ndërmarrjeve publike në marrjen në posedim dhe rrënimin e pronave, pa vendime të përshtatshme gjyqësore ose administrative.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut ka ndodhur një…