Ministrat theksojnë rëndësinë e prodhimit vendor në hapjen e ‘Javës së Biznesit Kosovar 2026’
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka hapur “Javën e Biznesit Kosovar 2026”, me moton “Unë konsumoj produkte vendore, po ju?”, duke bërë thirrje për mbështetjen e prodhimit vendor, fuqizimin e bizneseve, rritjen e eksporteve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Në aktivitetin ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit të biznesit, është theksuar rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit, Emilija Rexhepi, ka vlerësuar punën e AKB-së, duke thënë se krijimi i kushteve më të mira për bizneset, nxitja e investimeve, zvogëlimi i barrierave burokratike dhe mbështetja e prodhimit vendor duhet të jenë përgjegjësi e përbashkët institucionale.
Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se AKB-ja për 24 vjet me radhë ka kontribuar në promovimin e prodhimit vendor. Ajo ka bërë të ditur se institucionet po punojnë në skema grantesh për certifikimin e produkteve, mekanizma të rinj financiarë përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe krijimin e parqeve industriale, me qëllim të rritjes së prodhimit dhe konkurrueshmërisë së bizneseve.
Kurse ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka thënë se bujqësia në Kosovë ka shënuar rritje prej 60 për qind gjatë katër viteve të fundit. Ai ka theksuar se vendi ka potencial për rritjen e prodhimit të mishit, pemëve dhe perimeve, duke nënvizuar nevojën për tejkalimin e barrierave të eksportit.
Muja ka bërë me dije se Kosova importon çdo vit pemë dhe perime në vlerë prej 100 deri në 150 milionë euro. Sipas tij, ndër prioritetet e ministrisë janë zgjerimi i prodhimit gjatë gjithë vitit, investimet në sera dhe krijimi i kapaciteteve të magazinimit dhe zinxhirit të ftohjes, për të ruajtur vlerën e produkteve bujqësore.
Në anën tjetër, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së standardeve mjedisore dhe përgatitjes së bizneseve për kërkesat e tregut evropian. Ajo ka paralajmëruar se kompanitë eksportuese duhet të përgatiten për zbatimin e mekanizmave të taksimit të karbonit dhe të kenë të dhëna të verifikuara për emetimet. Sipas saj, institucionet po përmbyllin pakon ligjore për sistemin e matjes dhe verifikimit të emetimeve.
Më tutje, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe komuniteteve të ndryshme, duke theksuar potencialin ekonomik të veriut të Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se javën e ardhshme në Mitrovicën e Veriut do të mbahet një sesion informues për bizneset, ku ato do të njoftohen me kornizën ligjore dhe mundësitë e mbështetjes institucionale. Rashiq ka ritheksuar se Kosova ka potencial për prodhimin e ushqimit cilësor dhe se të gjithë prodhuesit dhe blerësit potencialë duhet të kenë trajtim të barabartë dhe mbështetje konkrete.
Përmes “Javës së Biznesit Kosovar 2026”, AKB-ja synon të rrisë vetëdijen e konsumatorëve për rëndësinë e blerjes së produkteve vendore, duke theksuar se kjo ndihmon prodhuesit, punëtorët, familjet dhe ekonominë e vendit.



