Afaristi Ramush Ahmetaj në Prekaz për 28 Nëntorin: Liria dhe Pavarësia e Kosovës janë të përjetshme
Afaristi dhe ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ramush Ahmetaj, ka qëndruar sot në Prekaz, në pragë të festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ahmetaj ka kujtuar rrugëtimin historik të shqiptarëve drejt lirisë, duke nisur nga koha e Skënderbeut, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e deri te dalja publike e UÇK-së në Llaushë më 1997.
Ai ka theksuar se historia e re e Kosovës është shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ahmetaj ka shprehur gjithashtu qëndrimin e tij për zhvillimet aktuale në vend, duke përmendur krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, si dhe pengesat që, sipas tij, po shfaqen në rrugëtimin e Kosovës.

Në postimin e tij, ai ka veçuar edhe zbulimin e pllakës përkujtimore në shtëpinë e Sabit Gecit, në prag të 29-vjetorit të daljes publike të UÇK-së, duke kujtuar ngjarjen e 28 nëntorit 1997, ku protagonistë ishin Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi.
Në fund, Ahmetaj ka përkujtuar të gjithë ata që dhanë jetën dhe kontribuuan për lirinë e Kosovës, duke përfunduar me mesazhin: “Lavdi dëshmorëve dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës në të gjitha periudhat e historisë sonë të lavdishme!”.

Postimi i plotë i tij:
Sot në Prekaz më rastin e festës së 28 Nëntorit të lavdisë sonë kombëtare!
Në të gjitha luftrat çlirimtare nga koha e Skënderbeut më 1443 kur e ngiti flamurin në Krujë, për të vazhduar me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e deri tek dalja publike e UÇK-së më 1997 në Llaushë, me Flamurin Kombëtar në ballë e shkruam historinë tonë të re më gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe sakrificat sublime të gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sakrificat tona vazhduan më të njëjtën tempo edhe në ndërtimin e shtetit tonë të lirë dhe sovran, që disa shqipëfolsa nuk po dëshirojnë ta shofin të lirë. Edhe përkundër vuajtjeve që na i ka shkaktuar kjo shtresë e njerëzve, edhe përkundër krerëve tanë që po mbahën në Hagë padrejtësisht dhe pengesave tjera që po shfaqen përditë, Liria dhe Pavarsia e Kosovës janë të përjetshme. Këtë e tregoi më së miri, zbulimi i pllakës përkujtimore sot në shtëpinë e Sabit Gecit, në prag të shënimit të 29-vjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku protoganist të kësaj ngjarje të madhe ishin Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor 1997.
Lavdi dëshmorëve dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës në të gjitha periudhat e historisë sonë të lavdishme!



