Hysni Gucati dënon gjuhën fyese ndaj Bashkim Jasharit: Respekti për familjen Jashari është respekt për lirinë tonë

28 nëntor 2026 | 12:46

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka dënuar ashpër gjuhën fyese dhe ofenduese të përdorur ndaj komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Gucati ka thënë se përdorimi i shprehjeve fyese ndaj një personaliteti që vjen nga familja heroike Jashari është i papranueshëm, skandaloz dhe i turpshëm.

Ai ka theksuar se familja Jashari dha gjithçka, deri te më i vogli, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar emrin Jashari si themel të lirisë dhe krenarisë kombëtare.

Gucati ka kërkuar që organet e drejtësisë të reagojnë pa hezitim dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj gjuhës së tillë.

“OVL-UÇK e dënon ashpër këtë gjuhë skandaloze dhe të turpshme, duke qëndruar në mbrojtje të dinjitetit të vlerave tona dhe të atyre që sakrifikuan për këtë vend”, ka shkruar Gucati.

Në fund, ai ka theksuar se liria e Kosovës është paguar me gjak, ndërsa respekti për familjen Jashari është respekt për vetë lirinë e vendit.

Reagimi i plotë i Gucati:

Ta quash “palaqo” dhe të fyes e të ofendosh një njeri si Bashkim Jashari, që vjen nga familja heroike dhe emblematike Jashari, familja që dha gjithçka, deri te më i vogli, për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot, është jo vetëm e papranueshme, por skandaloze dhe e turpshme.

​Kushdo që del dhe përdor gjuhë të tillë ofenduese tregon vogëlsi, mosmirënjohje dhe mungesë të plotë respekti ndaj historisë dhe sakrificës më të madhe të kombit tonë. Emri Jashari nuk është thjesht një emër, është vetë themeli i lirisë sonë, amaneti dhe krenaria jonë kombëtare.

​Për këtë gjuhë të ulët dhe të papranueshme, organet e drejtësisë duhet të reagojnë pa hezitim dhe të marrin masat e nevojshme ligjore. OVL – UÇK e dënon ashpër këtë gjuhë skandaloze dhe të turpshme, duke qëndruar në mbrojtje të dinjitetit të vlerave tona dhe të atyre që sakrifikuan për këtë vend.

​Liria nuk u dhurua u pagua me gjak. Respekti për familjen Jashari është respekt për vetë lirinë tonë!

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Monumenti simbolik “NEWBORN” në Prishtinë ka marrë një pamje të…