Abdixhiku: Secili brez ka përgjegjësinë e vet ndaj atdheut, fëmijëve tanë duhet t’u lëmë një shtet të fortë e të drejtë

28 nëntor 2026 | 13:22

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, duke kujtuar rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe sakrificën e brezave për ruajtjen e flamurit kombëtar.

Abdixhiku ka theksuar se flamuri shqiptar është ruajtur ndër breza edhe në periudhat kur shqiptarëve në Kosovë u ndalohej ta shfaqnin dhe ta ëndërronin lirinë.

Ai ka rikujtuar se më 28 Nëntor 1912, flamuri i një kombi u bë flamuri i një shteti, ndërsa ka vënë në pah sakrificën e atyre që e ruajtën atë në shtëpi, në mërgim dhe gjatë luftës për liri.

“Secili brez ka përgjegjësinë e vet ndaj atdheut. Ata para nesh na e lanë flamurin të lirë. Ne u detyrohemi fëmijëve tanë t’u lëmë një shtet të fortë e të drejtë, një shoqëri që di të bëhet bashkë dhe një atdhe ku ata duan ta ndërtojnë jetën e tyre”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund, kreu i LDK-së ka uruar të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për festën e 28 Nëntorit.

“Me fat 28 Nëntori, shqiptarë kudo që jeni!”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit,…