Agit Kabayel reagon për herë të parë pas fitores ndaj Nelson Hysës
Agit Kabayel ka reaguar pas fitores ndaj boksierit shqiptar Nelson Hysa, në duelin e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Dusseldorf të Gjermanisë.
Boksieri gjerman arriti ta mbyllte përballjen në raundin e dytë, duke mbrojtur me sukses titullin WBC në kategorinë e peshave të rënda. Megjithatë, përfundimi i ndeshjes erdhi në mënyrë të papritur, pasi Hysa pësoi një dëmtim të dukshëm në bërryl dhe këndi i tij vendosi të hidhte peshqirin.
Pas triumfit, Kabayel u shpreh i kënaqur me rezultatin, duke theksuar se gjithçka ishte rezultat i punës së madhe dhe përgatitjeve intensive që kishte bërë para këtij dueli.
“Sigurisht që ishte e shkurtër, por unë dhashë gjithçka dhe kjo është ajo që ndodh kur punon shumë. E dija që do të ishte një natë e mirë. Jam stërvitur shumë, kam punuar jashtëzakonisht fort për këtë ndeshje dhe sonte fituam”, deklaroi Kabayel.
Për Nelson Hysën, kjo përballje ishte një mundësi historike për t’u bërë shqiptari i parë që fiton titullin botëror në peshat e rënda.
Boksieri shqiptar hyri në ring me një bilanc prej 25 fitoresh dhe asnjë humbjeje, por aventura e tij në Dusseldorf përfundoi në raundin e dytë.



