Numrat shqetësues që fshihen pas humbjeve të Real Madridit këtë sezon
Humbja e Real Madridit ndaj Deportivo Alavesit mbrëmë nuk erdhi si pasojë e një paraqitjeje të dobët të skuadrës, por për shkak të mungesës së konkretizimit të rasteve të krijuara.
Gjatë 90 minutave, “Los Blancos” krijuan një vlerë më të lartë të golave të pritur (xG) sesa Alavesi dhe patën më shumë raste të mëdha shënimi. Madrilenët krijuan katër të tilla, për dallim nga dy sa patën mysafirët.
Dallimi, megjithatë, qëndroi te efikasiteti i Alavesit para portës, pasi kjo rezultoi e mjaftueshme për ta siguruar fitoren, pavarësisht se Real Madridi rrezikoi më shumë portën kundërshtare. Çuditërisht, kjo nuk është hera e parë që ndodh gjatë këtij sezoni.
Siç raporton së fundmi “Mundo Deportivo”, problemi i konkretizimit të dobët të rasteve, që po i kushton pikë Real Madridit, është vënë re edhe nga drejtuesit e klubit dhe po shkakton shqetësim brenda tij.
Në fund të fundit, kjo nuk është hera e parë që “Los Blancos” humbin pikë dhe pësojnë disfatë, pavarësisht dominimit në aspektin statistikor.
Mbrëmë në “Santiago Bernabeu”, skuadra e Jose Mourinhos regjistroi plot shtatë goditje në kuadratin e portës, por vetëm njëra përfundoi në rrjetë. Ndërkohë, Alavesi pati vetëm dy goditje të tilla dhe arriti t’i konkretizonte të dyja, duke i marrë kështu tri pikët.
I njëjti skenar u përsërit edhe në humbjen e Real Madridit ndaj Real Betisit më herët gjatë këtij sezoni në La Liga. Në atë ndeshje, madrilenët patën tetë goditje në kuadratin e portës, krahasuar me pesë të vendasve, por megjithatë humbën me rezultat 1-0.
Futbolli është një sport ku, përveç cilësisë, ndonjëherë rol luan edhe fati, ndërsa statistikat e konfirmojnë këtë në rastin e Real Madridit.
Në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, Real Madridi ka shënuar 52 gola nga 146 goditje në kuadratin e portës, duke regjistruar një përqindje konkretizimi prej 35.62 për qind.
Ndërkohë, kundërshtarët e tij kanë shënuar vetëm 21 gola nga 81 goditje në drejtim të portës së Thibaut Courtois, me një efikasitet prej vetëm 25.93 për qind. Megjithatë, një pjesë e madhe e meritës për këtë statistikë i takon vetë portierit belg.
Sidoqoftë, ka mbrëmje zhgënjyese kur topi thjesht refuzon të përfundojë në rrjetë dhe ajo e mbrëmshmja ishte një prej tyre. Drejtuesit dhe stafi teknik, natyrisht, janë të vetëdijshëm për këtë problem dhe po përqendrohen në zvogëlimin e rasteve kur skuadra ndëshkohet nga mungesa e konkretizimit.



